Deputetja e zgjedhur, Vjosa Osmani, ka deklaruar se betimi i dhënë në Kuvendin e Kosovës përfaqëson vazhdimësinë e zotimit të saj për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve me përkushtim të plotë.
Përmes një reagimi, Osmani tha se rikthimi në Kuvend është rikthim te institucioni që, sipas saj, përfaqëson vullnetin e qytetarëve dhe përgjegjësinë për t’i shërbyer Republikës.
“Po rikthehemi aty ku çdo mandat e ka burimin: te tempulli i demokracisë dhe i qytetarëve dhe te përgjegjësia për t’i shërbyer Republikës”, ka shkruar Osmani.
Ajo shtoi se betimi i deputetes është vazhdim i angazhimit të saj për t’i shërbyer Kosovës dhe të gjithë qytetarëve.
“Betimi i sotëm është vazhdim i të njëjtit zotim: për t’i shërbyer Kosovës dhe të gjithë qytetarëve tanë me dinjitet, guxim dhe përkushtim”, ka theksuar Osmani.
