Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se kërkesa për kohë shtesë pas ndërprerjes së seancës për konstituimin e Kuvendit është bërë me qëllim që t’u jepet hapësirë diskutimeve për çështjen e presidentit dhe të shmangen zgjedhjet e reja.
Kurti ka thënë se është e nevojshme që diskutimet me partitë politike të vazhdojnë para konstituimit të Kuvendit, pasi, sipas tij, konstituimi i institucioneve pa një marrëveshje për presidentin mund ta vështirësojë arritjen e një dakordimi.
“Është e nevojshme t’i jepet shansi vazhdimit të diskutimit, para konstituimit të Kuvendit, gjë që mund ta vështirësonte mandej marrëveshjen potenciale dhe evitimin e zgjedhjeve të radhës”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se nevojitet kohë shtesë për diskutime dhe se vetëm pas arritjes së një marrëveshjeje për presidentin duhet të vazhdohet me konstituimin e institucioneve të tjera.
“Prandaj, na duhet të marrim kohë shtesë për diskutime dhe vetëm atëherë kur ta kemi arritur dakordimin për çështjen e presidentit të procedojmë me konstituimin e institucioneve të tjera”.
Kurti është arsyetuar me zhvillimet e legjislaturës së kaluar, duke thënë se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa zgjidhur paraprakisht çështjen e presidentit nuk e kishte shmangur krizën institucionale.
“Herën e kaluar e pamë se pa e zgjidhur çështjen e presidentit kot e konstituojmë Kuvendin apo e votojmë e formojmë Qeverinë, sepse vendi u desh të shkojë në zgjedhje”.
Seanca konstituive e Kuvendit u ndërpre pasi Kurti nuk prezantoi emër për kryetar të Kuvendit dhe kërkoi kohë shtesë për vazhdimin e diskutimeve me partitë parlamentare rreth zgjedhjes së presidentit.
