Kosovë Lajme

Fillon asfaltimi në rrugën “Ilir Konushevci” tek Xhamia e Llapit

Ka nisur shtrimi i shtresës së re të asfaltit në rrugën “Ilir Konushevci”, në segmentin pranë Xhamisë së Llapit në kryeqytet.

Në terren shihet makineria e rëndë dhe punëtorët e angazhuar, teksa po kryhen punimet përfundimtare për finalizimin e kësaj rruge mjaft të frekuentuar.

Ky segment rrugor ishte bllokuar për qarkullim që nga data 22 korrik, kur Komuna e Prishtinës njoftoi mbylljen e tij për pesë ditë për shkak të punimeve infrastrukturore.

Sidoqoftë, procesi u përcoll me pakënaqësi dhe reagime nga banorët e zonës dhe pronarët e bizneseve lokale. Më 28 korrik, disa qytetarë dhe afaristë bllokuan punimet duke vendosur makineri midis rrugës dhe duke dorëzuar një peticion me rreth 150 nënshkrime. Shkak për këtë protestë u bë plani i komunës për ngushtimin e rrugës nga katër korsi në tri (një korsi hyrëse nga Podujeva dhe dy dalëse nga Prishtina). Bizneset shprehën shqetësimin se ky ndryshim do të pamundësojë furnizimin e lokaleve dhe do të dëmtojë veprimtarinë e tyre ekonomike.

Me gjithë reagimet dhe debatin e zhvilluar rreth këtij projekti, punimet tashmë kanë kaluar në fazën e asfaltimit, çka pritet t’i hapë rrugë rivendosjes së qarkullimit të automjeteve në këtë arterie të rëndësishme, që tash e dy javë ka shkaktuar telashe të mëdha jo vetëm për banorët e kësaj zone, por në përgjithësi në trafikun e kryeqytetit.