Kryeministri në detyrë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka mbërritur në Kuvend për takimin e me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Ai tha se është optimist për marrëveshjen, por përmendi se për Kuvendin dhe qeverinë e re, partia e tij ka “mjaftueshëm mbështetje”.
“Ne kemi mjaftueshëm mbështetje sa i përket Kuvendit dhe qeverisë, por që të gjithë e dini mirë se për zgjedhjen e Presidentit nuk ka përgjegjësi vetëm mazhoranca, por edhe opozita”, tha Kurti.
“Kurse kushtetutshmëria është e tillë që presidentin e sheh si shprehje të unitetit dhe ku opozitë e qeveri duhet të jenë bashkë”, shtoi ai.
Me refuzimin e Partisë Demokratike të Kosovës që tha se do të mbetet në opozitë, Albin Kurti tani duhet të llogarisë në votat që mund t’i mbërrijë me LDK-në, nëse nuk dëshiron t’i marrë parasysh gjashtë kërkesat e Aleancës, që refuzoi gjithashtu takimin me të.
LVV-ja, me deputetë të minoriteteve, i ka votat e mjaftueshme për formimin e qeverisë së re, por i duhet së paku LDK-ja për zgjedhjen e Presidentit. Por, deputetë të kësaj partie që janë shumë të zëshëm kundër LVV-së dhe të cilët kanë kërkuar largimin e Abdixhikut nga drejtimi i partisë, mund të bëhen problem në këtë llogaritje.
Të enjten mbahet seanca konstituive e Kuvendit, dhe pasi të jenë zgjedhur kryeparlamentari dhe nënkryetarët, atë ditë nis zyrtarisht procedura për zgjedhjen e shefit të shtetit, e cila duhet të përfundojë brenda 60 ditësh.
