Të shtëna me armë zjarri janë raportuar në bordin e një jahti luksoz, në zonën bregdetare të Palasës.
Pas sinjalizimit, Policia Kufitare, në bashkëpunim me forcat speciale “Delta Force”, organizoi një operacion që çoi në bllokimin e mjetit lundrues dhe ndalimin e personave të dyshuar si të përfshirë në incident.
Mësohet se mes të shoqëruarve ndodhen Astrit Gjonpalaj, ish-efektiv i Policisë së Shtetit dhe aktualisht biznesmen, pronar i kompanisë së udhëtimeve “Globus Travel”, si dhe shqiptaro-amerikani Astrit Meta.
Dyshohet se të dy të kenë qenë në bordin e jahtit në momentin kur ndodhi incidenti. Pas të shtënave, ata dyshohet se janë larguar me një gomone drejt bregut, por janë lokalizuar dhe ndaluar nga forcat e policisë sapo kanë zbritur në tokë.
Ndërkohë, grupi hetimor po vijon veprimet për të sqaruar plotësisht dinamikën e ngjarjes, për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë dhe për të përcaktuar motivet që çuan në përdorimin e armëve në një nga zonat më të frekuentuara të rivierës shqiptare gjatë kulmit të sezonit veror.
