Në korridoret e repartit Operativ të QKUK-së, aty ku shumë pacientë përballen me sfida të mëdha shëndetësore, një emër po përmendet vazhdimisht me respekt dhe mirënjohje. Bëhet fjalë për mjeken 61-vjeçare, Nazlie Krasniqi Bislimi, për të cilën pacientët dhe familjarët e tyre thonë se ka lënë gjurmë jo vetëm me profesionalizmin, por edhe me zemërgjerësinë e saj.
Lavdëratat kanë ardhur nga pacientë të shtrirë me gjendje të rëndë, si dhe nga familjarët e tyre, të cilët tregojnë se në momentet më të vështira kanë gjetur te Dr. Nazlie Krasniqi Bislimi një mjeke që nuk kursen as kohën, as përkushtimin dhe as fjalën e mirë.
Sipas tyre, ajo nuk kufizohet vetëm në kryerjen e detyrës profesionale. Me qetësinë, komunikimin e ngrohtë dhe kujdesin e vazhdueshëm për secilin pacient, ajo arrin t’u japë forcë dhe besim edhe familjarëve që presin me ankth përmirësimin e më të dashurve të tyre.
Pacientët e përshkruajnë si një mjeke që e ushtron profesionin me ndërgjegje të lartë, duke treguar se humanizmi mbetet po aq i rëndësishëm sa edhe aftësia profesionale në trajtimin e të sëmurëve.
Fjalët e mirënjohjes që kanë mbërritur për Dr. Nazlie Krasniqi Bislimi janë një dëshmi se përkushtimi, respekti dhe dashamirësia ndaj pacientit mbeten vlera që nuk kalojnë pa u vënë re. Për shumë prej tyre, ajo nuk është vetëm mjekja që kujdeset për shëndetin e tyre, por edhe njeriu që u ka dhënë shpresë në ditët më të vështira.


