Drejtoria e Inspektoratit në Prishtinë ka marrë vendim për ndalimin e vënies në përdorim të objekteve pa Inspektim Final dhe Certifikatë të Përdorimit.
Ky vendim vlen për objektet e banimit individuale e kolektive, objektet banesore, afarista e industriale.
“Me qëllim të mbrojtjes së jetës, shëndetit dhe sigurisë së qytetarëve, si dhe për të siguruar zbatimin e legjislacionit në fuqi në fushën e ndërtimit, Drejtoria e Inspektoratit e Kryeqytetit njofton të gjithë investitorët, ndërtuesit, mbikëqyrësit profesionalë, projektuesit, pronarët e objekteve, blerësit e banesave dhe lokaleve afariste, institucionet publike dhe qytetarët se:
ASNJË OBJEKT NUK MUND TË VIHET NË PËRDORIM PA INSPEKTIM FINAL DHE CERTIFIKATË TË PËRDORIMIT.
Ky detyrim vlen për:
- objektet individuale të banimit;
- objektet kolektive të banimit;
- objektet banesore-afariste;
- objektet afariste;
- objektet industriale;
- objektet publike;
- si dhe për çdo objekt tjetër që bënë pjesë në kategorinë e parë dhe të dytë, simbas ligjit për ndërtim dhe është në kompetencë të Inspektoriatit për ndërtim të Kryeqytetit.
- Në përputhje me Ligjin Nr. 04/L-110 për Ndërtim, përdorimi i objektit lejohet vetëm pasi organi kompetent të ketë kryer Inspektimin Final dhe të ketë lëshuar Certifikatën e Përdorimit, e cila dëshmon se objekti është ndërtuar sipas lejes ndërtimore, projektit të miratuar, standardeve teknike dhe kërkesave të sigurisë.
- Njoftim për investitorët
- Drejtoria e Inspektoratit njofton se, para përfundimit të punimeve ndërtimore, investitorët do të njoftohen edhe individualisht përmes një Urdhërese Inspektuese, me të cilën do të obligohen:
- të mos e vënë objektin në përdorim;
- të mos ua dorëzojnë banesat, lokalet apo hapësirat shfrytëzuesve;
- të mos fillojnë ushtrimin e aktivitetit ekonomik;
- të mos lejojnë vendosjen e banorëve apo përdoruesve,
- derisa të përfundojë procedura e Inspektimit Final dhe të lëshohet Certifikata e Përdorimit.
- Çdo veprim në kundërshtim me këtë urdhëresë do të konsiderohet shkelje e vetëdijshme e detyrimeve ligjore dhe do të merret parasysh gjatë procedurave inspektuese.
- Thirrje për blerësit dhe qytetarët
- Drejtoria e Inspektoratit u bën thirrje të gjithë qytetarëve:
- Mos pranoni në dorëzim banesa, lokale afariste apo objekte të tjera dhe mos filloni përdorimin e tyre pa Certifikatë të Përdorimit.
- Pranimi i një objekti pa këtë certifikatë nënkupton se objekti ende nuk është verifikuar zyrtarisht nëse plotëson kushtet ligjore dhe teknike për përdorim të sigurt.
- Masat që do të ndërmerren
- Në rast se konstatohet se një objekt është vënë në përdorim në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, Drejtoria e Inspektoratit do të ndërmarrë të gjitha masat e parapara me ligj, duke përfshirë:
- urdhërimin për ndërprerjen e menjëhershme të përdorimit të objektit;
- urdhërimin për lirimin e objektit deri në pajisjen me Certifikatë të Përdorimit;
- shqiptimin e gjobave administrative ndaj personave përgjegjës;
- inicimin e procedurave të tjera administrative dhe ligjore të parapara me legjislacionin në fuqi;
- ekzekutimin e masave inspektuese në rast të mosrespektimit të urdhrave të Inspektoratit.
- Siguria nuk është formalitet
- Inspektimi Final dhe Certifikata e Përdorimit nuk janë formalitete administrative. Ato janë mekanizmat ligjorë përmes të cilëve verifikohet nëse objekti mund të përdoret pa rrezikuar jetën, shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve.
- Për këtë arsye, Drejtoria e Inspektoratit nuk do të tolerojë vënien në përdorim të asnjë objekti në kundërshtim me kërkesat ligjore.
- Ftojmë të gjithë investitorët dhe qytetarët që të respektojnë këto detyrime ligjore dhe të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi ndërtimor të sigurt dhe në përputhje me ligjin” thuhet në njoftim
