Një mosmarrëveshje familjare në fshatin Savrovë të Suharekës për pak sa nuk ka përfunduar në tragjedi. Një 77-vjeçar me inicialet D.K. dyshohet se ka plagosur me armë zjarri djalin e tij, V.K., 40 vjeç.
Raportohet se gjithçka ka nisur pasi 40-vjeçari kishte biseduar me djalin e xhaxhait të tij. Kjo bisedë e ka nervozuar 77-vjeçarin, për shkak se ai nuk gëzonte raporte të mira me të vëllain. Në gjaknxehtësi e sipër, i ati ka qëlluar të birin me armë zjarri.
Pas të shtënave, i dyshuari është mbyllur brenda shtëpisë dhe ka refuzuar të dalë. Policia e Kosovës ka nisur negociatat me të, ndërsa pas insistimit të forcave të rendit, ai është bindur të dorëzohet dhe është arrestuar.
Rreshteri i Policisë në Suharekë, Dalip Matoshi, bëri të ditur se i dyshuari fillimisht ka mohuar se posedonte armë. Megjithatë, gjatë kontrollit në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, një karikator dhe pesë fishekë të kalibrit 9 mm.
I plagosuri ka marrë ndihmën e parë mjekësore në Emergjencën e Suharekës, ndërsa më pas është transferuar për trajtim të mëtejshëm në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit.
Ndaj 77-vjeçarit është iniciuar procedurë penale për tri vepra: “Lëndim i lehtë trupor”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, si dhe “Përdorim i armës”.
