Kosovë Lajme

Ambasada e Kosovës jep informata mbi gjendjen në pikat kufitare dhe qarkullimin rrugor në Kroaci

Trafiku në pikat kufitare dhe urat ndërkombëtare vazhdon të zhvillohet me kufizime, si pasojë e fluksit të shtuar të udhëtarëve. Në të gjitha pikat kufitare ndërkombëtare, zbatohet Sistemi Evropian i Hyrje/Daljes (EES), i cili regjistron automatikisht të dhënat personale, dokumentet e udhëtimit, si dhe kohën e hyrjes dhe daljes së shtetasve të vendeve të treta, njofton Ambasada e Kosovës në Zagreb.

Tutje në njoftimin e Ambasades thuhet:

Ambasada e Republikës së Kosovës në Zagreb, përmes Atasheut nga MPB z.Sefadin Kuçi, është në komunikim të vazhdueshëm me Stacionin Policor në Grude, i cili ka në përgjegjësi zonën ku ndodhen dy vendkalimet kufitare me Malin e Zi. Sipas përgjegjësve policorë, autoritetet janë duke bërë maksimumin për të menaxhuar situatën dhe për të lehtësuar qarkullimin në këto pika kufitare.

Sipas informacioneve zyrtare të publikuara nga autoritetet më 2 gusht në ora 11.58, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Malit të Zi, në pikën kufitare Karasovići pritjet për hyrje arrijnë deri në katër orë, ndërsa në dalje raportohen pritje disaorëshe (kolona arrin disa kilometra). Kurse në pikën kufitare Vitaljina, pritjet në dalje janë rreth katër orë.

Kryetari i Komunës së Konavlës në të cilën gjendet dy vendkalimet kufitare, z.Božo Lasić, ka aktivizuar Shtabin e Mbrojtjes Civile. Është bërë thirrje banorëve lokal që të shtyjnë të gjitha udhëtimet me automjete personale që nuk janë të domosdoshme, me qëllim uljen e bllokimeve dhe rritjen e sigurisë në trafik. Ndërsa policia po devijon një pjesë të qarkullimit në rrugë alternative, banorët lokalë po ndihmojnë udhëtarët duke u shpërndarë ujë dhe duke u ofruar përdorimin e tualeteve.

Gjithashtu, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, në pikën kufitare Bajakovo, pritjet arrijnë deri në tre orë.

Në gjithë territorin e Republikës së Kroacisë janë evidentuar kolona të gjata në pothuajse të gjitha autostradat, si pasojë e fluksit të shtuar të automjeteve. Kufizimet infrastrukturore në disa ura vazhdojnë të ndikojnë në qarkullimin e automjeteve të rënda.

Situata ka ndikuar edhe në transportin publik, duke shkaktuar vonesa të konsiderueshme në orare. Bashkatdhetarë të cilët gjatë ditës së djeshme kanë shfrytëzuar dje shërbimet e Stacionit të Autobusëve në Zarë, kanë kontaktuar me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Zagreb dhe bëhet e ditur se vonesat arrijnë deri në 3 orë.

Udhëtarëve dhe transportuesve u rekomandohet që gjatë planifikimit të udhëtimeve të marrin parasysh vonesat dhe kufizimet aktuale.