Tre persona janë privuar nga liria pasi dyshohen për kontrabandë me mallra në zonën kufitare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Rasti ka ndodhur më 31 korrik 2026, rreth orës 23:00, kur zyrtarët policorë nga Qendra Rajonale për Çështje Kufitare Veri, duke vepruar sipas Planit Operativ për parandalimin, zbulimin dhe kapjen e personave që kryejnë kontrabandë përmes kufirit shtetëror, kanë ndërhyrë në zonën e fshatit Bllacë, konkretisht në vijën kufitare ndërmjet fshatit Bllacë dhe Hanit të Elezit.
Sipas njoftimit, janë privuar nga liria N.B. (27), H.B. (26) dhe E.Xh. (21), të gjithë nga fshati Bllacë.
Të dyshuarit janë kapur duke ngarkuar mall kontrabandë, i futur në mënyrë të paligjshme nga Kosova, në një automjet transportues “Mercedes Vito” me targa të Shkupit dhe në një automjet udhëtarësh “Hyundai” pa targa regjistrimi.
Policia ka bërë të ditur se automjetet dhe malli janë sekuestruar, ndërsa është njoftuar prokurori publik.
