Kosovë Kronikë Policore Lajme

Dita e pestë e protestës pas vrasjes së Arlinda Zekajt, qytetarët mblidhen në sheshin e Prishtinës

Qytetarët janë mbledhur edhe sot në qendër të Prishtinës për të kërkuar përgjegjësi institucionale për Arlinda Zekajn, e cila u vra para një jave nga ish-kunati në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës duke kërkuar mbrojtjen e shtetit.

Ndër kërkesat kryesore të protestuesve janë përgjegjësia institucionale, përfshirë shkarkimi apo dorëheqja e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Protestuesit kanë paralajmëruar se protesta do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave.

Arlinda Zekaj, e cila u vra mizorisht duke i lutur institucionet që ta zbatonin një vendim gjyqësor, ka lënë me shkrim e zë prova që e implikojnë shtetin në vrasjen e saj.

Ajo u la të vritej mizorisht me sëpatë nga ish-kunati i saj, Albert Sylaj të dielën në mbrëmje në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës, posa një patrullë policore e çoi atje.

Të paktën që nga mesi i vitit e deri pak orë para se të vritej, Arlinda Zekaj kishte kërkuar pa sukses zbatimin e një vendimi të Gjykatës Themelore të Pejës, e cila më 16 tetor kishte urdhëruar që të kthehej në shtëpinë e përbashkët me ish-bashkëshortin dhe pranë djalit të saj.