Kosovë Lajme Politikë

Dërgohen ftesat për seancën konstituive, publikohet rendi i ditës

Ushtruesja e detyrës së Presidentit të vendit, Albulena Haxhiu ua ka dërguar dje deputetëve të zgjedhur ftesat për seancën konstituive të Kuvendit.

Seanca konstituive do të mbahet të enjten në orën 10:00.

Në ftesë është bashkëngjitur edhe rendi i ditës së asaj seance.

Si pikë e parë është formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve.

Më pas, në rend dite është betimi i deputetëve.

Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit është pika e tretë e seancës.

Pika e fundit është zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.


Haxhiu, kështu, “e thërret seancën e parë të Kuvendit”, sipas pikës 3 të nenit 66 të Kushtetutës së vendit.

Seanca e parë udhëhiqet nga deputeti më i vjetër dhe ai më i riu në sallën e Kuvendit.

Kryetarin e Kuvendit e propozon grupi më i madh parlamentar, siç përcaktohet në nenin 67. Ai zgjidhet me shumicë të votave të të gjithë deputetëve (61 nga 120).

Deputetët duhet t’i zgjedhin edhe 5 nënkryetarë të Kuvendit, 3 prej të cilëve propozohen nga tri grupet më të mëdha parlamentare, kurse dy nga komunitetet joshumicë.