Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj katër të akuzuarve në rastin “Toka 2”.
Të akuzuarit janë dënuar me gjithsej 32 vjet burgim dhe 230 mijë euro gjoba për veprën penale “Krim i organizuar”.
Mehmet Prishtina është dënuar me 10 vjet burgim dhe 100 mijë euro gjobë.
Dukagjin Emërllahu dhe Nexharije Hoti janë dënuar me nga 8 vjet burgim. Emërllahu është dënuar edhe me 80 mijë euro gjobë, ndërsa Hoti me 20 mijë euro gjobë.
Ndërkaq, Avni Maxhuni është dënuar me 6 vjet burgim dhe 30 mijë euro gjobë.
Gjykata i ka liruar të akuzuarit nga akuza për veprën penale “Shpëlarje e parave”.
Ndërkaq, gjykata ka urdhëruar konfiskimin e 45 ngastrave kadastrale, si dhe të mjeteve financiare që gjenden në llogaritë bankare në emër të të akuzuarve Mehmet Prishtina dhe Dukagjin Emërllahu.
Rasti “Toka 2” lidhet me dyshimet për përvetësimin e kundërligjshëm të rreth 36 hektarëve tokë në territorin e Prishtinës dhe Graçanicës, përmes një skeme që sipas Prokurorisë ishte organizuar nga viti 2009 deri në vitin 2014.
Fillimisht në këtë rast ishin të akuzuar 24 persona, por gjatë procedurës numri i të akuzuarve u zvogëlua pas vendimeve të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit. Në fund të procesit gjyqësor, para trupit gjykues mbetën katër të akuzuar – Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu, Avni Maxhuni dhe Nexharije Hoti – të cilët ngarkohen me vepra që lidhen me krimin e organizuar dhe vepra të tjera penale.
Aktakuza ishte ngritur në mars të vitit 2017 nga një prokuror i EULEX-it, ndërsa më pas lënda ishte bartur në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
