Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot do të mbahet seanca gjyqësore ndaj Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, të akuzuar për përfshirje në sulmin terrorist ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, i cili ndodhi në nëntor të vitit 2023.
Ashtu si edhe në seancën fillestare, dy të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.
Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, provat e siguruara gjatë hetimeve dëshmojnë përfshirjen e të akuzuarve në veprat penale për të cilat ngarkohen.
Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet kanë nxjerrë në pah edhe rolin e Qeverisë së Serbisë në përgatitjet e këtij sulmi.
Po ashtu, ajo ka njoftuar se gjatë hetimeve janë sekuestruar armë, municion, pajisje ushtarake, mjete komunikimi dhe prova të tjera materiale. Sipas Prokurorisë, analizat forenzike, përfshirë ekzaminimet e ADN-së dhe ekspertizat e tjera, i lidhin të akuzuarit me vendin e ngjarjes.
Nga ana tjetër, mbrojtja ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë, duke kërkuar nga gjykata një shqyrtim objektiv të çështjes. Ajo ka argumentuar se aktakuza nuk përshkruan qartë veprimet konkrete të klientëve të saj.
Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, së bashku me Igor Dimoviqin, akuzohen për rrezikim të rendit kushtetues, kryerje të veprës terroriste dhe armëmbajtje pa leje. Ndërkohë, Jovan Viqentijeviq përballet edhe me një akuzë shtesë për spiunazh.
Sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, i kryer në fshatin Varagë të Zubin-Potokut në nëntor të vitit 2023, shkaktoi dëme në një nga infrastrukturat më të rëndësishme për furnizimin me ujë dhe energji elektrike në Kosovë.
Seanca e sotme pritet të vazhdojë me paraqitjen e provave dhe shqyrtimin e argumenteve të palëve.
