Kosovë Kronikë Policore Lajme

Prishtinë: Policia sekuestron 13 armë, zbaton 228 urdhëresa të gjykatës dhe shqipton mbi 4 mijë gjoba

Policia Rajonale e Prishtinës ka vazhduar aktivitetet intensive për zbatimin e urdhëresave të gjykatës dhe forcimin e sigurisë publike gjatë javës së kaluar.

Sipas njoftimit të Policisë, në lokacione të ndryshme dhe përmes aksioneve të ndara janë realizuar gjithsej 228 urdhëresa të gjykatës, prej të cilave 52 kanë qenë për vepra penale, ndërsa pjesa tjetër për kundërvajtje, seanca gjyqësore dhe verifikime të ndryshme.

Pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtjen e dënimit, ndërsa ata të dënuar me gjobë janë liruar pasi kanë përmbushur obligimet e përcaktuara.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve, policia ka ndërmarrë masa edhe për rritjen e sigurisë, duke sekuestruar 13 armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm.

Ndërkohë, gjatë kontrolleve në trafik, në të njëjtën periudhë janë shqiptuar 4 mijë e 416 gjoba për shkelje të ndryshme të rregullave të komunikacionit.

Nga ky numër, 688 kundërvajtje janë evidentuar përmes veturave inteligjente dhe radarëve mobilë.

Policia Rajonale e Prishtinës ka bërë të ditur se do të vazhdojë me aktivitete të shtuara për parandalimin e veprave penale, zbatimin e ligjit dhe rritjen e sigurisë për të gjithë qytetarët.

POSTIMI