Kosovë Lajme Politikë

Rama kërkon sqarime nga Kallxo.com për profilin “Lule Gjeli”, paralajmëron ndërprerjen e bashkëpunimit me BIRN

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar sqarime publike nga BIRN Kosova, Kallxo.com dhe drejtoresha Jeta Xharra lidhur me profilin në Facebook “Lule Gjeli”, të cilin e cilëson si profil të rremë që ka publikuar analiza dhe opinione.

Në një reagim publik, Rama e përshkruan rastin si “alarmues” dhe ngre shqetësime për shkelje të mundshme të standardeve etike dhe ligjore.

Ai kërkon që institucionet dhe organizatat e përmendura të sqarojnë autorësinë e profilit, bashkëpunimin e mundshëm me të, periudhën dhe mënyrën e angazhimit, si dhe nëse aktiviteti është financuar me fonde publike.

Rama kërkon gjithashtu të dihet nëse ka pasur përfshirje të zyrtarëve politikë në diskutimet rreth publikimit të opinioneve dhe u bën thirrje që t’u kërkohet falje publike personave që, sipas tij, janë dëmtuar nga aktiviteti i profilit.

Ai njofton se pret një përgjigje dhe sqarim publik deri të hënën.

Sipas Ramës, nëse përgjigjet nuk ofrojnë transparencën e kërkuar, Komuna e Prishtinës do të shqyrtojë ndërprerjen e çdo forme të bashkëpunimit dhe mbështetjes institucionale me BIRN Kosovën.

Në fund të reagimit, Rama thekson se fondet publike dhe hapësirat publike duhet të administrohen në interes të qytetarëve dhe se institucionet kanë përgjegjësi të ruajnë besimin e publikut.


POSTIMI