Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) për Evropën u ka bërë thirrje qytetarëve në zonat e prekura të marrin masa parandaluese, pasi rastet e virusit të Nilit Perëndimor janë në rritje në Greqi, Itali, Spanjë, Rumani dhe Maqedoninë e Veriut.
Sezoni i përhapjes së virusit zakonisht zgjat nga fundi i pranverës deri në vjeshtë, ndërsa kulmin e arrin gjatë muajve korrik dhe shtator.
“Veprime të thjeshta si mbulimi i trupit me rroba, përdorimi i ilaçeve kundër mushkonjave dhe eliminimi i ujërave të ndenjura rreth shtëpisë mund të bëjnë një ndryshim të madh”, tha të premten Hans Henri P. Kluge, Drejtor Rajonal i OBSH-së për Evropën.
Aktualisht nuk ekziston një vaksinë e miratuar për njerëzit kundër këtij virusi. Trajtimi konsiston kryesisht në lehtësimin e simptomave, ndërsa rastet e rënda kërkojnë kujdes mbështetës në spital.
OBSH rekomandon që njerëzit të mbulojnë sa më shumë pjesë të trupit me veshje, të shmangin qëndrimin jashtë në agim dhe muzg, kur mushkonjat janë më aktive, të përdorin preparate kundër mushkonjave, të vendosin rrjeta mbrojtëse në dritare dhe dyer, të përdorin rrjeta mbi shtretër dhe karroca të foshnjave, të largojnë ujin e ndenjur nga vazot, enët dhe mbeturinat, pasi ato shërbejnë si vende ku shumohen mushkonjat.
Shumica e të infektuarve rreth 70 deri në 80% nuk shfaqin simptoma. Tek ata që zhvillojnë simptoma, ato mund të përfshijnë: temperaturë, dhimbje koke, lodhje, dhimbje muskujsh, të përziera ose të vjella, në disa raste, skuqje të lëkurës ose ënjtje të nyjeve limfatike.
“Kushdo që zhvillon temperaturë të lartë, skuqje ose ngurtësim të qafës pas pickimit nga një mushkonjë duhet të kërkojë menjëherë ndihmë mjekësore”, tha Kluge.
Rreth një në 150 persona të infektuar zhvillon formë të rëndë të sëmundjes, e cila prek sistemin nervor qendror dhe mund të jetë kërcënuese për jetën.
Temperaturat më të larta po favorizojnë përhapjen Sipas OBSH-së, ndryshimet klimatike pritet të shtojnë përhapjen e virusit.
“Virusi i Nilit Perëndimor nuk është një kërcënim i ri, por kushtet që po nxisin përhapjen e tij po ndryshojnë me shpejtësi. Temperaturat më të larta dhe verat më të gjata u japin mushkonjave më shumë kohë dhe hapësirë për ta transmetuar këtë virus”, tha Kluge.
Greqia ka regjistruar rritjen më të madhe deri më tani. Autoritetet kanë konfirmuar 21 raste tek njerëzit deri më 22 korrik. Nga këta, 20 kanë zhvilluar forma të rënda neurologjike, si encefaliti ose meningjiti, ndërsa 13 vazhdojnë të trajtohen në spital.
Italia ka raportuar përhapjen më të gjerë gjeografike, me 21 raste të konfirmuara në 17 zona të ndryshme deri më 15 korrik.
Raste të transmetimit lokal janë konfirmuar gjithashtu në Maqedoninë e Veriut (dy raste), Rumani (dy raste) dhe Spanjë (dy raste), shkruan Euronews.
