Kosovë Kronikë Policore Lajme

“Vrasje nga pakujdesia” – Prokuroria e Pejës jep detaje për rastin tragjik në Deçan

Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e sotme në Bjeshkët e Strellcit, në komunën e Deçanit, ku një person dyshohet se aksidentalisht ka vrarë babanë e tij.

Rasti ka ndodhur në oborrin e një stani, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë dy prokurorë të shtetit së bashku me njësitet relevante të Policisë së Kosovës.

Në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Pejës bëhet e ditur se i dyshuari është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe është duke u intervistuar nga policia.

“I dyshuari është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe, me urdhër të prokurorit të shtetit, është ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, është sekuestruar edhe arma me të cilën dyshohet se është kryer vrasja, ndërsa pritet që njësitë përkatëse të bëjnë tërheqjen e trupit të viktimës.

Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar për obduksion.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria Themelore në Pejë ndalon një person për veprat penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”

Pejë, 23 korrik 2026 – Prokuroria Themelore në Pejë njofton opinionin publik se, pas pranimit të informatave nga Policia e Kosovës se një person ka humbur jetën nga arma e zjarrit në bjeshkët e Komunës së Deçanit, në vendin e ngjarjes kanë dalë dy (2) prokurorë të shtetit, përveç njësive relevante të Policisë së Kosovës.

Nga veprimet e ndërmarra në vendin e ngjarjes, sigurimi i provave materiale dhe intervistimi i dëshmitarëve okularë, ekziston dyshimi se viktima ka humbur jetën si pasojë e pakujdesisë së të dyshuarit, përkatësisht nga shkrepja e armës së zjarrit.

I dyshuari është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe, me urdhër të prokurorit të shtetit, është ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Gjithashtu, në vendin e ngjarjes janë angazhuar ekspertë të balistikës për kryerjen e ekzaminimeve të nevojshme me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.

Arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale është sekuestruar, ndërsa janë autorizuar edhe veprimet për intervistimin e dëshmitarëve okularë dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të tjera hetimore.

Prokurori i shtetit, në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe institucionet kompetente, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe ligjore për zbardhjen e plotë të këtij rasti.