Kosovë Lajme

Cakolli-Deharit: Në Kushtetutë janë së paku 40 afate, vetëm për 8 ka sanksione

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës i ka reaguar kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, i cili ka thënë se nuk ka sanksione për afatet e thirrjes së seancave.

Dehari ka deklaruar se seanca do të thirret kur të ketë një marrëveshje politike.

Por, kjo deklaratë e tij ka nxitur reagime, dhe Cakolli i KDI-së, ka përmendur normat kushtetuese në të cilat parashihen sanksione.

Sipas tij, Kushtetuta e Kosovës përmban së paku 40 afate dhe kufizime kohore operative dhe vetëm për 8 prej tyre, përcaktohet shprehimisht edhe pasoja konkrete juridike të mosrespektimit apo kalimit të afatit.

“Kushtetuta e Kosovës përmban së paku 40 afate dhe kufizime kohore operative. Vetëm për 8 prej tyre, Kushtetuta e përcakton shprehimisht edhe pasojën konkrete juridike të mosrespektimit apo kalimit të afatit. Sipas logjikës që po e dëgjojmë së fundi, a i bie që 80% e afateve kushtetuese nuk qenkan detyruese, e rrjedhimisht mosrespektimi apo tejkalimi i tyre nuk paraqet asnjë problem?”, ka shkruar ai.