Kosovë Kronikë Policore Lajme

Të shtëna me armë në Prizren, plagoset një person

Një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri që kanë ndodhur të enjten rreth orës 17:00 në rrugën “Liman Shala” në Prizren.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tha për Insajderin se i dyshuari ka shtënë me armë zjarri në drejtim të automjetit të palës tjetër.

“Sipas informacioneve të para, pas një fjalosjeje ndërmjet një personi të dyshuar në njërën anë dhe tre personave të tjerë në anën tjetër, i dyshuari ka shtënë me armë zjarri në drejtim të automjetit të palës tjetër. Si pasojë e të shtënave, një person ka pësuar lëndime trupore nga arma e zjarrit”, ka deklaruar Bytyqi.

Sipas tij, i plagosuri është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Personi i lënduar është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit dhe, sipas mjekëve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, tha Bytyqi.

Ai bëri të ditur se policia ka identifikuar të gjithë personat e përfshirë në incident.

“Të gjithë personat e përfshirë në incident janë identifikuar. Përveç personit të lënduar, të tjerët janë shoqëruar në Stacionin Policor në Prizren”, konfirmoi Bytyqi.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve dhe njësia e forenzikës për grumbullimin e provave materiale.

“Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të këtij incidenti”, tha Bytyqi.