Ushtria amerikane njoftoi se ka kryer natën e shtatë radhazi sulme ndaj Iranit, pasi presidenti Donald Trump deklaroi se marrëveshja e përkohshme e armëpushimit ishte “e përfunduar”.
Në një deklaratë të publikuar në X, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha se forcat e saj goditën “objekte të mbikëqyrjes, infrastrukturë të logjistikës ushtarake, depo nëntokësore armësh dhe kapacitete detare”, raporton BBC.
Irani pretendoi se iu përgjigj sulmeve duke shënjestruar aleatët e SHBA-së në rajon, përfshirë Kuvajtin, ushtria e të cilit tha se mbrojtja ajrore kishte “përballuar sulme armiqësore me raketa dhe dronë” pas “agresionit iranian”.
Edhe ushtria e Jordanisë njoftoi se kishte interceptuar 10 raketa iraniane që hynë në hapësirën e saj ajrore gjatë natës. Nuk u raportuan dëme.
CENTCOM tha se operacioni përfundoi në orën 21:30 sipas kohës lindore të SHBA-së (02:30 BST), pas disa orësh sulmesh.
“Forcat amerikane përdorën avionë luftarakë, dronë ajrorë, anije luftarake dhe mjete të tjera”, thuhet në deklaratë.
Agjencia shtetërore iraniane Fars raportoi se dy cisterna nafte “shpërthyen dhe u përfshinë nga flakët teksa kalonin nëpër një rrugë të minuar në jug të Ngushticës së Hormuzit”. Më vonë, CENTCOM reagoi në X duke shkruar: “Ashtu si shumica e pretendimeve të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), edhe ky është i rremë.”
Qarkullimi i anijeve në Ngushticën strategjike të Hormuzit është ndërprerë pothuajse tërësisht për shkak të sulmeve të ndërsjella mes SHBA-së dhe Iranit. Përmes kësaj ngushtice kalon rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm.
Mediat shtetërore iraniane raportuan se shpërthime u dëgjuan në qytetin qendror të Yazdit, në ishullin Qeshm dhe në portin e Bandar Abbasit, pranë Ngushticës së Hormuzit.
Të premten, forcat e armatosura iraniane pretenduan se kishin sulmuar disa baza ushtarake amerikane në rajonin e Gjirit, përfshirë në Kuvajt, Bahrejn, Jordani dhe, për herë të parë, në Siri. SHBA-ja i mohoi këto pretendime.
Më herët, autoritetet kuvajtiane thanë se sulmet iraniane me dronë plagosën disa ushtarë të tyre, ndërsa u dëmtuan edhe një termocentral dhe impiante të desalinizimit të ujit.
Burime i thanë partnerit amerikan të BBC-së, CBS News, se disa ushtarë amerikanë u plagosën gjatë sulmeve iraniane ndaj dy bazave në Jordani gjatë javës së kaluar.
Uashingtoni hodhi poshtë edhe pretendimet e mëhershme të Teheranit se forcat amerikane kishin goditur infrastrukturë civile në Iran, përfshirë ura, një stacion treni dhe një aeroport. Autoritetet e provincës Hormozgan thanë se shtatë persona u vranë nga këto sulme.
BBC Verify dhe BBC Persian verifikuan pamje që tregojnë dëmtime në Urën Gariveh, pasi videot e publikuara gjatë natës shfaqnin një top zjarri mbi urë.
Pamjet e realizuara gjatë ditës tregojnë një segment të shembur të rrugës dhe rrënoja rreth urës së dëmtuar.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë i tha BBC-së se SHBA-ja “ka kryer sulme ekskluzivisht ndaj objektivave ushtarake, përfshirë infrastrukturën e logjistikës ushtarake”.
E premtja shënoi një javë sulmesh të përnatshme amerikane, që nga dështimi i bisedimeve të paqes me Iranin, ndërsa tensionet për të ardhmen e Ngushticës së Hormuzit vazhdojnë të pengojnë përpjekjet për arritjen e një armëpushimi të përhershëm.
