Artistja e mirënjohur e muraleve, Mimoza Rraci, ka realizuar veprën monumentale “Çast”, një mural i dedikuar të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Përmes kësaj vepre të jashtëzakonshme, Rraci dëshmon se arti nuk është vetëm estetikë, por edhe zë i kujtesës, i drejtësisë dhe i shpresës.
Me ndjeshmëri të thellë artistike dhe mjeshtëri të rrallë, Mimoza Rraci ka krijuar një simbol që nderon dinjitetin, forcën dhe qëndresën e të mbijetuarve. “Çast” është më shumë se një mural është një mesazh i fuqishëm që flet për dhimbjen, guximin dhe nevojën që historia të mos harrohet kurrë.
Artistja u shpreh se ndihet e nderuar që pati mundësinë ta realizojë këtë vepër në bashkëpunim me Fondacionin Jahjaga dhe Komunën e Gjakovës, duke e kthyer një hapësirë publike në një vend reflektimi dhe respekti.
Me këtë krijim, Mimoza Rraci konfirmon edhe një herë talentin dhe përkushtimin e saj të jashtëzakonshëm, duke e përdorur artin si një mjet të fuqishëm për të ngritur zërin për të vërtetën dhe humanizmin. “Çast” mbetet një kujtesë e përhershme se plagët e së kaluarës nuk duhen harruar, ndërsa forca e atyre që mbijetuan meriton nderimin më të madh.




