Nisma nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kundër Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) ka rikthyer vëmendjen edhe te institucionet e tjera të drejtësisë me seli në Hagë, përfshirë Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale.
Në Kosovë, zhvillimi ka marrë interes të veçantë për shkak të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ndaj të cilëve pritet të shpallet vendimi përfundimtar më 16 shtator.
Kjo ka ngritur pyetjen nëse kjo gjykatë mund të përfshihet në valën e kritikave amerikane ndaj institucioneve ndërkombëtare të drejtësisë. Kjo, veçanërisht për shkak se që nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së, në Kosovë dhe rajon janë organizuar një numër i madh protestash me mijëra pjesëmarrës, të cilët e kanë konsideruar Gjykatën Speciale si të padrejtë, duke argumentuar se lufta e UÇK-së ishte e pastërt dhe duke kërkuar lirimin e çlirimtarëve.
Një kërkesë për t’i ndihmuar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ia kishte drejtuar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Së fundmi, edhe aktivisti dhe biznesmeni shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, i ka kërkuar Rubio-s rishikimin e mbështetjes së SHBA-së për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Megjithatë, deri tani, iniciativa e Rubios është drejtuar ndaj një institucioni tjetër: Gjykatës Penale Ndërkombëtare, e themeluar në vitin 2002 përmes Statutit të Romës. Deri më tani nuk ka ndonjë deklaratë zyrtare nga administrata amerikane që e vendos Gjykatën Speciale në të njëjtin proces.
ICC-ja ka mandat të ndjekë penalisht individë për krimet më të rënda ndërkombëtare, përfshirë gjenocidin, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit. Rubio e ka akuzuar këtë gjykatë se ka zgjeruar kompetencat e saj përtej kufijve të parashikuar dhe se mund të përdoret si instrument politik kundër zyrtarëve amerikanë dhe aleatëve të SHBA-së.
Në qendër të përplasjes mes Uashingtonit dhe kësaj gjykate janë veçanërisht hetimet e ICC-së ndaj Izraelit për veprimet në territorin palestinez, si dhe rastet që kanë prekur veprimtarinë e personelit amerikan në Afganistan.
Administrata amerikane ka argumentuar se një gjykatë ndërkombëtare nuk duhet të ketë kompetencë mbi qytetarët apo zyrtarët e vendeve që nuk e kanë pranuar juridiksionin e saj. Kritikët e kësaj qasjeje, në anën tjetër, argumentojnë se qëndrimi amerikan synon të kufizojë mekanizmat ndërkombëtarë të përgjegjësisë penale.
Pse po lidhet ky debat me Gjykatën Speciale?
Lidhja me Kosovën vjen kryesisht për shkak të një elementi të përbashkët: vendndodhjes. Si ICC-ja, ashtu edhe Dhomat e Specializuara të Kosovës ndodhen në Hagë.
Një element që e ka afruar këtë debat me Kosovën është fakti se njëri prej gjyqtarëve të përfshirë në masat amerikane ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare ka pasur më herët rol edhe në procesin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shtetet e Bashkuara gjatë vitit të kaluar kanë vendosur sanksione ndaj katër zyrtarëve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, përfshirë gjyqtarin Nicolas Yann Guillou, i cili para se të shërbente në ICC ishte pjesë e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Guillou ka shërbyer si gjyqtar i procedurës paraprake në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke qenë pjesë e procesit që konfirmoi aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Megjithatë, ky zhvillim nuk nënkupton se masat amerikane janë vendosur ndaj Gjykatës Speciale apo se ajo është pjesë e nismës së Rubios. Sanksionet lidhen me rolin e Guillou-s në Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe me vendimet e marra gjatë punës së tij në atë institucion.
Pikërisht ky fakt ka rikthyer vëmendjen te raporti mes dy gjykatave me seli në Hagë, por që kanë baza juridike dhe mandate të ndryshme. Edhe pse të dyja ndodhen në të njëjtin qytet dhe në disa raste kanë pasur persona me përvojë pune në të dy institucionet, ato nuk janë pjesë e së njëjtës strukturë dhe nuk funksionojnë mbi të njëjtën bazë ligjore.
Gjykata Speciale është themeluar në vitin 2015 përmes ndryshimeve kushtetuese dhe ligjeve të miratuara nga institucionet e Kosovës. Për këtë arsye, një përfshirje e mundshme e saj në iniciativën e Rubios nuk do të ishte automatike.
Kritikat ndaj ICC-së lidhen me strukturën dhe kompetencat e një gjykate me mandat global, ndërsa Gjykata Speciale ka një mandat të veçantë, të krijuar për trajtimin e pretendimeve për krime të lidhura me luftën në Kosovë gjatë viteve 1998–1999.
Aktualisht, nuk ka ndonjë sinjal publik se administrata amerikane po planifikon një hap të tillë.
Përfshirja e Gjykatës Speciale në një iniciativë të drejtuar kundër ICC-së do të kërkonte një ndryshim të veçantë politik nga Uashingtoni, pasi nuk bëhet fjalë për të njëjtin institucion dhe as për të njëjtën bazë juridike.
Megjithatë, në planin politik, debati mund të marrë një dimension tjetër. Kjo pasi që Gjykata Speciale, prej vitesh, ka qenë objekt kritikash në Kosovë për shkak se ka krijuar një trajtim të pabarabartë të së kaluarës së luftës, duke u fokusuar kryesisht te ish-pjesëtarët e UÇK-së, ndërsa nuk ka trajtuar në të njëjtën masë krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës.
Për Kosovën, çdo ndryshim i mundshëm i qasjes së SHBA-së ndaj Gjykatës Speciale do të kishte peshë të madhe politike. Prandaj, një përfshirje e saj në një debat më të gjerë amerikan për gjykatat ndërkombëtare do të përbënte një zhvillim të rëndësishëm politik, jo vetëm juridik.
