Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur vazhdimin e paraburgimit për 11 persona të pandehur në një rast të madh të Prokurorisë Speciale, që lidhet me dyshimet për krim të organizuar dhe trafikim ndërkombëtar të narkotikëve.
Sipas aktvendimit të datës 2 shtator 2026, paraburgimi për Rexhep Nikqin dhe dhjetë të pandehur të tjerë është vazhduar edhe për dy muaj, përkatësisht deri më 3 nëntor 2026.
Rasti lidhet me hetimet e Prokurorisë Speciale, ku një pjesë e rëndësishme e provave janë komunikimet e zhvilluara përmes platformës së koduar “SkyECC”, ndërsa në kuadër të rastit është sekuestruar edhe rreth 18 kilogramë heroinë.
Në paraburgim do të vazhdojnë të qëndrojnë Rexhep Nikqi, Ragip Bislimi, Abedin Gjakova, Erduan Ismaili, Blerim Sharapolli, Roland Beqiri, Avni Rekaliu, Kurbin Dezdari, Onur Vizdiki, Kenan Brovina dhe Safet Lajici.
Ndërkohë, për tre të pandehurit e tjerë, gjykata ka vlerësuar se qëllimi i masës së sigurimit mund të arrihet edhe përmes një mase tjetër, pa vazhdimin e paraburgimit.
Për Armend Ismajlin, Edin Berishën dhe Lorik Tiganin paraburgimi ndaj tyre është zëvendësuar me masën e dorëzanisë në vlerë prej 10 mijë eurosh për secilin.
Për 11 të pandehurit e tjerë, Gjykata ka vlerësuar se vazhdimi i paraburgimit mbetet i nevojshëm. Në marrjen e këtij vendimi, Gjykata ka shqyrtuar disa rrethana, përfshirë rolin e dyshuar të secilit brenda grupit, vazhdimin e aktivitetit të pretenduar kriminal, lidhjet e mundshme me persona jashtë Kosovës, si dhe dyshimet për përfshirje në organizimin dhe trafikimin e narkotikëve.
Nga kontejnerët e Amerikës së Jugut drejt tregut evropian
Inteligjenca e mbledhur gjatë një hetimi tre-vjeçar kulmoi më 9 qershor në një ditë veprimi të koordinuar në Kosovë, ku autoritetet arrestuan pesë anëtarë kryesorë të organizatës kriminale. Rreth 150 oficerë u vendosën në terren, të mbështetur nga një ekspert i Europolit.
Grupi i krimit të organizuar përdori një platformë komunikimi të koduar për të koordinuar aktivitetet e trafikimit të drogës në disa vende evropiane, duke ruajtur qendrën e tij operative në Kosovë. Nga atje, anëtarët e lartë drejtuan aktivitetet kriminale, koordinuan dërgesat ndërkombëtare të drogës dhe menaxhuan pastrimin e fitimeve të paligjshme.
Veprimi shënon fazën e fundit të një hetimi të gjatë të mbështetur nga Europol nën Task Forcën Operacionale (OTF) LIMIT, e cila synon komunikimet kriminale të koduara të Sky ECC.
Prokuroria Speciale specifikonte se grupi ka funksionuar si strukturë e organizuar kriminale që nga viti 2019. Sipas dokumentit, narkotikët fshiheshin në kontejnerë transportues që vinin nga Amerika e Jugut, Irani dhe Turqia, ndërsa në Kosovë hynin në tranzit përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Pasi përzihej në Kosovë me sodë bikarbonat për t’iu rritur pesha, droga ri-paketohej dhe eksportohej drejt vendeve të Bashkimit Evropian, përfshirë Gjermaninë, Zvicrën, Kroacinë dhe shtete të tjera.
Paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal, që dyshohet se arrijnë në miliona euro, sipas prokurorisë janë investuar në patundshmëri dhe biznese në emër të të dyshuarve ose familjarëve të tyre.
