Kosovë Lajme

A telefonoi vërtet Granit Plava nga burgu? Drejtori Ismail Dibrani, sqaron çfarë ndodhi

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka reaguar lidhur me rastin e telefonatës që u prezantua në emër të Granit Plavës, duke theksuar se gazetarja ka vepruar në mënyrë profesionale dhe nuk ka qenë në dijeni se personi në fjalë po manipulonte me identitetin.

Në një deklaratë, Dibrani tha se reagimi i gazetares ka qenë korrekt, pasi ajo nuk kishte njohuri se personi që po telefononte nuk ishte Granit Plava.

Ai pranoi se në raste të caktuara të burgosurit mund të manipulojnë stafin, veçanërisht ata që ndodhen në burgje të tipit të hapur, pasi kanë mundësi të përdorin kabinat telefonike dhe, në raste të caktuara, edhe të telefonojnë drejtpërdrejt në emisione televizive.

Megjithatë, Dibrani theksoi se personi për të cilin po flitet nuk ka pasur mundësi ta bëjë një gjë të tillë.

Sipas tij, të gjitha telefonatat që ai zhvillon monitorohen në mënyrë strikte nga zyrtarët korrektues, çka, sipas drejtorit të SHKK-së, e përjashton mundësinë që telefonata në fjalë të jetë realizuar nga ai person.