Kryetari i OVLUÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se sot, pas dy muajsh, Gjykata Speciale në Hagë, e cila prej gati gjashtë vjetësh po u shërben interesave të Serbisë, do të vendosë nëse do ta kriminalizojë luftën e popullit tonë, ndërhyrjen e NATO-s dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
“Kjo gjykatë njëetnike po vendos për fatin e shtetit tonë shumetnik dhe, me vendimin e saj, mund t’i rrënojë edhe themelet e shumetnicitetit mbi të cilin është ndërtuar Kosova”, ka shkruar ai në Facebook.
Gucati ka shkruar se atje po gjykohen ata që organizuan rezistencën tonë. “Po gjykohen ata që, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë, sollën intervenimin e NATO-s dhe koordinuan bombardimin e caqeve serbe. Po gjykohen ata që e shpallën Kosovën shtet të pavarur, shumetnik dhe demokratik”.
“Kjo gjykatë është politike. Edhe vendimi i saj do të jetë politik. Bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e vetëdijshme për pasojat e këtij vendimi. Më 16 shtator, veteranët e UÇK-së, së bashku me çdo shqiptar, do ta presin këtë vendim të bashkuar, në Hagë dhe në çdo qytet të Kosovës”, ka theksuar Gucati.
