Kosovë Lajme

Bajrami alarmon Brukselin për deklaratën e ministres serbe: Tha atë që mendon Vuçiqi, është shkelje e Marrëveshjes së vitit 2023

Ambasadori i Kosovës në Bruksel dhe njëherësh kreu i ekipit negociator, Agron Bajrami, ka njoftuar se ka adresuar zyrtarisht te emisari i Bashkimit Evropian, Peter Sorensen, deklaratën skandaloze të ministres serbe e cila mbështeti hapur “spastrimin etnik” të shqiptarëve në Kosovë.

Përmes një reagimi, Bajrami ka theksuar se kjo deklaratë nuk është një qëndrim i izoluar, por pasqyron strategjinë e vërtetë të kreut të shtetit serb, Aleksandër Vuçiq.

“Ministrja serbe tha atë që mendon Presidenti serb – ajo thjesht nuk duhej ta kishte thënë me zë të lartë, ndërsa ai tani përpiqet të kontrollojë dëmet”, deklaroi ambasadori Bajrami.

Kreu i ekipit negociator të Kosovës potencoi se retorika e fundit nga zyrtarët e Beogradit është një shkelje e rëndë dhe e drejtpërdrejtë e Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023, e cila i obligon palët për respektimin e integritetit territorial dhe kapërcimin e trashëgimisë së të kaluarës.

Sipas tij, tentativat e Serbisë për t’u distancuar formalisht janë vetëm “premtime boshe” dhe jo pendim i sinqertë për krimet e epokës së Millosheviqit.

“Kjo retorikë dëmton seriozisht dialogun, besimin dhe normalizimin e BE-së bazuar në njohjen dhe respektin reciprok. Çfarë vlere ka të flasësh për zbatim kur Serbia vazhdon të shkelë Marrëveshjet me fjalë dhe vepra?”, shtoi ai.