Certifikimi i rezultateve zgjedhore të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit ka vënë në lëvizje partitë politike për formimin e institucioneve të reja të vendit.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë së enjtes u ka dërguar ftesa zyrtare për takime tre liderëve të partive të ish-opozitës, Bedri Hamza, Lumir Abdixhiku dhe Ardian Gjini.
Vetëvendosje për formimin e Qeverisë.
“Po flasim për krijimin e institucioneve të vendit. Kosova po përballet me vakum institucional dhe kjo mungesë e stabilitetit po e dëmton vendin. Prandaj, duke e ditur seriozitetin e situatës, mendoj se secili prej nesh duhet të sillet në atë mënyrë. Ftesa duhet të dërgohet ashtu siç e kërkon rendi, nga kryetari që ka më së shumti ulëse në Kuvend. Ftesa për takim është për sot në orën 17:00. Unë do të sillem në mënyrë të përgjegjshme. Nuk jam kundër takimeve. Para se të flasim për pozita, janë më të rëndësishme prioritetet dhe adresimi i sfidave që i ka Kosova. Nëse nuk dakordohemi për këto, unë ia ktheva shkresën që PDK-ja të takohet në orën 09:00 nesër”, tha Hamza.
Pozitivisht ftesës së Kurtit iu përgjigj edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Unë sot kam marrë një letër ftesë për takim me kryetarin e LVV-së, z. Kurti, në formatin 1+1. Pra, këtë here do të takohemi 2 me 2 dhe do ti përgjigjem pozitivisht kësaj ftese”, ka thënë Abdixhiku pas mbledhjes së kryesisë së partisë.
“Më datën 26 qershor 2026, kam prezantuar publikisht ofertën tonë për mbështetjen e themelimit të institucioneve të reja të Kosovës. Aleanca është e gatshme, pa kushte ose kërkesa vetjake, të ndihmojë në bërjen e kuorumit për zgjedhjen e Presidentit/es, nëse mandatari për krijimin e Qeverisë i pranon gjashtë pikat e ofertës sonë. Kjo ofertë ka për qëllim që ta shtyjmë përpara zhvillimin ekonomik të Kosovës, forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit dhe, njëkohësisht, të mos e dërgojmë vendin edhe njëherë në zgjedhje. Duke e pasur parasysh qëndrimin tonë të qartë dhe parimor, nuk e shohim të nevojshëm takimin”, ka deklaruar Gjini në Facebook.
Gjashtë kërkesat e Aleancës për institucionet e reja janë:
1. Orientimi strategjik dhe gazi amerikan: Pranimi i menjëhershëm i projektit të gazit amerikan si një projekt i rëndësisë jetike për orientimin afatgjatë të shtetit.
2. Pavarësia energjetike: Nisja e menjëhershme e procedurave për ndërtimin e termocentralit me thëngjill, për të garantuar zhvillim ekonomik dhe ulje të inflacionit.
3. Lehtësime për bizneset e vogla: Ngritja e menjëhershme e pragut të TVSH-së nga 30,000 në 100,000 euro, për të çliruar potencialin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
4. Mbështetje për bujqësinë: Lirimi i plotë i tokës së punuar nga tatimi në pronë, me qëllim nxitjen e punimit të tokës dhe përkrahjen direkte të bujqve.
5. Buxhetimi i infrastrukturës: Financimi i plotë buxhetor i projekteve të infrastrukturës jetike në Kosovë, të cilat aktualisht kanë mbetur të pezulluara në mungesë të mjeteve.
6. Fondi emergjent për kryeqytetin: Ndarja e 800 milionë deri në 1 miliard eurove për Prishtinën, e cila, sipas tij, po bëhet e pajetueshme në mungesë të investimeve kapitale.
Kujtojmë se LVV ka fituar 53 mandate nga zgjedhjet e 7 qershorit, PDK mori 22 ulëse, LDK 18 ulëse dhe Aleanca mori 7 mandate në legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës.
