Kosovë Kronikë Policore Lajme

Vrasja e imamit në Dragash, Prokuroria e Prizrenit jep detaje: Janë arrestuar i dyshuari dhe babai i tij

Prokuroria Themelore në Prizren, është deklaruar lidhur me vrasjen në fshatin Zlipotok, të Dragashit, ku mes tjerash thuhet se, janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të kësaj çështjeje penale.

Në komunikatë shtohet se, i dyshuari B.H., është ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, dhe, po ashtu është ndaluar për 48 orë edhe babai i tij, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Mosdhënia e ndihmës”.

”Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), në Prishtinë. Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke vazhduar hetimet intensive për zbardhjen e motiveve dhe rrethanave të plota të kësaj ngjarjeje”, thuhet në reagim.

Komunikata e plotë:

Prizren, 30 Qershor 2026 – Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, informon opinionin publik se në fshatin Zlipotok, Komuna e Dragashit, ka ndodhur një rast i vrasjes së rëndë.

Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, më 29 qershor 2026, rreth orës 23:15, Policia e Kosovës është njoftuar për një rast të vrasjes në fshatin Zlipotok, Komuna e Dragashit. Viktima, i cili ishte imam i fshatit, është privuar nga jeta me mjet të mprehtë (thikë). Vdekja e viktimës është konstatuar nga mjeku në vendin e ngjarjes.

Pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes ka dalë prokurorja kujdestare nga Departamenti për Krime të Rënda, e cila, në bashkëpunim të ngushtë me Sektorin e Hetimeve Rajonale dhe njësitë tjera relevante të Policisë së Kosovës, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të kësaj çështjeje penale.

I dyshuari B.H., pas kryerjes së veprës penale, fillimisht ishte në arrati, mirëpo si rezultat i veprimeve intensive operativo-hetimore të Policisë së Kosovës është lokalizuar dhe arrestuar.

Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari B.H., është ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu, është ndaluar për 48 orë edhe babai i tij, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Mosdhënia e ndihmës”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), në Prishtinë.

Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke vazhduar hetimet intensive për zbardhjen e motiveve dhe rrethanave të plota të kësaj ngjarjeje.

Brenda afatit ligjor, Prokuroria do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.

POSTIMI