Mosftesa e Kosovës për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s që do të mbahet në Ankara të Turqisë ka nxitur mjaftë debat të brendshëm në Kosovë. Kjo pasi që në vitin 2024, në Samitin që ishte mbajtur në Washington, Kosova ishte ftuar dhe ishte përfaqësuar nga Vjosa Osmani, atë kohë presidente.
Vetë Osmani atë kohë e pati cilësuar si historike ftesën, megjithatë kishte sqaruar se në takimin kryesor të Samitit nuk kishte marrë pjesë, meqë aty takohen vetëm shtetet anëtare të NATO-s.
Qeveria e Kosovës është arsyetuar për këtë mosftesë, duke thënë se NATO nuk i fton në Samite shtetet që nuk janë anëtare. Ministria e Mbrojtjes ka thënë se edhe në rastet e mëhershme, Kosova është ftuar vetëm për aktivitete specifike në margiina të Samitit të NATO-s.
Por çfarë thonë nga NATO për këtë çështje? Një zyrtar i Aleancës VeriAtlantike ka thënë për Gazetën Express se temat kryesore të Samitit që do të mbahet në Ankara lidhen me investimet në mbrojtjr, prodhimet industriale për mbrojtje dhe përkrahja për Ukrainën, transmeton Periskopi.
Nga NATO kanë treguar se kush do të jenë pjesëmarrës në Samit, përfshirë partnerë të Aleancës të cilët janë edhe liderë në industrinë e mbrojtjes.
“Programi do të përfshijë një takim të 32 Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s, si dhe angazhime me disa nga partnerët tanë, përfshirë nga Ukraina, Bashkimi Evropian, Indo-Paqësori dhe Iniciativa e Bashkëpunimit të Stambollit. Gjithashtu do të organizojmë Forumin e Samitit të NATO-s për Industrinë e Mbrojtjes, i cili do të përfshijë liderë të industrisë nga e gjithë Aleanca”, ka thënë ky zyrtar i NATO-s.
Ndërsa sa i përket rajonit të Ballkanit Perëndimor, ky zyrtar i NATO-s ka thënë se vazhdon të mbetet lartë në agjendën e Aleancës dhe se është rajon me rëndësi strategjike.
Nga NATO kanë thënë se përkushtimi për këtë rajon është i palëkundur dhe se nuk do të lejojnë asnjë boshllëk sa i përket sigurisë.
“Ballkani Perëndimor mbetet lart në axhendën e NATO-s. Është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën. Angazhimi ynë për stabilitetin e rajonit është i palëkundur dhe nuk do të lejojmë të krijohet një boshllëk sigurie.KFOR-i vazhdon të luajë një rol krucial në sigurinë në Kosovë, nën një mandat të gjatë të OKB-së; dhe ne vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht me BE-në. NATO gjithashtu vazhdon të mbështesë Operacionin Althea të udhëhequr nga BE në Bosnjë dhe Hercegovinë, përmes Marrëveshjeve Berlin Plus. Ne i bëjmë të gjitha këto për të siguruar që paqja në rajon të mbrohet, sepse siguria e Ballkanit Perëndimor është jetike edhe për ne, dhe nuk do të lejojmë që ajo të rrezikohet”, ka përfunduar ky zyrtar i NATO-s.
