Pasi për muaj të tërë pacientët u detyruan t’i blejnë vetë penjtë kirurgjikalë që mungonin në klinika, SHSKUK-ja i ka kontraktuar ata nëpërmjet një tenderi emergjent, duke eliminuar konkurrencën e plotë mes operatorëve ekonomikë. Bazuar në kontratë, disa nga llojet e penjve janë blerë dyfish më shtrenjtë sesa çmimi i tyre në barnatore.
Një lloj peri kirurgjikal që përdoret për mbylljen e plagëve gjatë operacionit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar e ka blerë me çmim prej 2.32 euro për copë.
Në një barnatore konfirmuan se ky lloj kushton përgjysmë më lirë.
“Penjtë kirurgjikalë me hark gjilpëre 40 milimetra dhe gjatësi peri deri në 90 centimetra në paketime prej 12 copësh, shiten me çmim 14 euro. Kjo i bie se një copë kushton afërsisht 1.20 euro”, bëhet e ditur në një përgjigje nga një barnatore.
E, kontraktimi me çmim dyfish më shtrenjtë është bërë nga SHSKUK-ja nëpërmjet tenderit emergjent, pasi klinikat janë përballur me mungesë të penjve kirurgjikalë.
Në tenderin me vlerë rreth 220 mijë euro, janë listuar 23 lloje të penjve kirurgjikalë me dimensione të ndryshme.
Edhe për penjtë që në kontratë përshkruhen me gjerësi 45 milimetra dhe gjatësi 75 centimetra, SHSKUK-ja ka paguar 2.80 euro për copë, pothuajse dyfish më shumë sesa çmimi i tyre në barnatore. Në një barnatore kanë thënë se ata kanë çmim rreth 1.30 euro për copë. E në një tjetër, kanë bërë të ditur se çmimi më i lartë mund të shkojë deri në 2 euro për copë.
KOHA ka dërguar pyetje në SHSKUK për të sqaruar pse furnizimi me penj kirurgjikalë nuk është planifikuar me kohë, në mënyrë që të shmangej procedura emergjente, si dhe nëse para inicimit të kësaj procedure është bërë ndonjë krahasim i çmimeve të tregut. Por, deri në publikimin e raportit, nuk janë dërguar përgjigje.
Ndërkohë, në një komunikatë për media, ky institucion ka deklaruar se furnizimi me këto produkte është realizuar në vazhdimësi.
“Sa u përket raportimeve për mungesë të përkohshme të disa numrave specifikë të penjve kirurgjik, ju njoftojmë se furnizimi me këto produkte është realizuar gjatë ditës së djeshme në Barnatoren Qendrore dhe ato tashmë pritet të shpërndahen në klinika dhe spitale. Asnjë procedurë kirurgjikale nuk është pezulluar apo anuluar për shkak të mungesës së penjve kirurgjikë”, është thënë në njoftimin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës më 23 qershor.
Por, hulumtuesja e politikave shëndetësore, Saranda Ramaj, ka thënë se deklarata e SHSKUK-së bie ndesh me vetë veprimet e institucionit, i cili ka zhvilluar procedurë emergjente prokurimi, shkaku i mungesave.
“Një fjali thotë që kanë pasë penj vazhdimisht. Sigurisht kjo është plotësisht e pavërtetë. Një paragraf ma poshtë thonë: ‘sa i përket mungesës së disa numrave të penjve’. Pra e pranojnë që kanë pasë mungesë, duke e demantuar veten në pjesën e parë të reagimit. Po thonë që dje kanë ardhë penjtë, por hala s’janë shpërnda. Paramendo, QKUK-në e shëtit njeri klinikë për klinikë për 1 orë, i bjen pa problem rreth e rrotull, e këta henez po thonë që “pritet të shpërndahen”. Për 30 minuta more i çoni penjtë në klinika. Pra e konfirmojnë atë që kam shkru që edhe sot nuk ka pasë penj por sot në mëngjes s’ka pasë se nuk i kanë çu prej Barnatores Qendrore në klinika”, ka deklaruar ajo.
Edhe njohësi i prokurimit, Ardit Dragusha, ka vlerësuar se mungesa e materialeve bazike, si penjtë kirurgjikalë, nuk mund të konsiderohet emergjencë e paparashikueshme.
“Lidhen më shumë me planifikim të dobët dhe menaxhim joefektiv të furnizimeve. Ligji e lejon përdorimin e procedurave emergjente vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe të paparashikueshme. Përveç dëmit që u shkaktohet pacientëve, këto procedura krijojnë edhe kosto shtesë për buxhetin publik, pasi mungon konkurrenca e hapur mes operatorëve ekonomikë dhe mundësia për të siguruar çmime më të favorshme”, ka thënë Dragusha.
KOHA ka raportuar prej muajsh për mungesë penjsh në klinika. Në disa raste, pacientët kanë deklaruar se përpos penjve, duhet të blejnë edhe bisturitë për operim.
