Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka komentuar dinamikat e fundit politike në Serbi, duke e cilësuar situatën atje si një “eksperiment social dhe politik”, në fokus të të cilit qëndron Lista Studentore dhe mënyra e re e përzgjedhjes së përfaqësuesve në institucione.
Gjatë fjalës së tij në një takim të mbajtur në Dublin, me ftesë të Institutit të Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA), kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi se është ende herët për të shfaqur entuziazëm rreth ndryshimeve të mundshme politike në shtetin serb.
Sipas Ramës, sa i përket raporteve me Kosovën dhe vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, Beogradi nuk po jep asnjë sinjal se po ndryshon qasje.
“Serbia po kalon në një eksperiment social dhe politik me Listën Studentore dhe me metodën e përzgjedhjes dhe zgjedhjes së personave që do të jenë në parlament dhe qeveri. Për sa na takon ne shqiptarëve, duket se nuk ka ndonjë hapje për sa i përket marrëdhënieve me Kosovën, apo sanksioneve kundër Rusisë”, u shpreh ai.
Duke vënë theksin te çështja e Kosovës, Rama paralajmëroi se mungesa e vullnetit për një qasje të re do të vazhdojë ta mbajë Serbinë peng të historisë së saj.
“Është interesante, por është shumë herët të tregohemi entuziastë për këtë ndryshim. Për sa kohë nuk ka një qasje të hapur ndaj Kosovës, do të thotë që fantazma e së shkuarës do ta përndjekë dhe pengojë Beogradin për të kryer një katarsis”, përfundoi kryeministri shqiptar.
