Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat e tregtisë së jashtme për muajin maj 2026, të cilat tregojnë rritje të deficitit tregtar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas ASK-së, deficiti tregtar në maj të 2026-tës arriti në 544.4 milionë euro, që paraqet një rritje prej 4.0 për qind krahasuar me majin e vitit 2025.
Kosova vazhdon të mbështetet në mallrat e importuara, ndërsa eksportet mbeten shumë më të ulëta, duke bërë që deficiti tregtar të thellohet edhe më tej.
Gjatë muajit maj 2026, vendi importoi mallra në vlerë prej 638.6 milionë eurosh, eksportoi vetëm 94.1 milionë euro dhe regjistroi një deficit tregtar prej 544.4 milionë eurosh, 4 për qind më të lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Në muajin maj 2026, eksporti i mallrave arriti në 94.1 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 15.7 për qind krahasuar me majin e vitit 2025, kur vlera e eksporteve ishte 81.4 milionë euro. Megjithatë, importi mbeti shumëfish më i lartë, duke arritur në 638.6 milionë euro, ose 5.6 për qind më shumë se një vit më parë, kur kishte qenë 604.7 milionë euro”.
Si rezultat, deficiti tregtar u rrit nga 523.4 milionë euro në maj 2025 në 544.4 milionë euro në maj 2026, ndërsa eksportet arritën të mbulojnë vetëm 14.7 për qind të importeve, duke dëshmuar edhe një herë varësinë e madhe të ekonomisë nga produktet që vijnë nga jashtë.
Sa i përket shpërndarjes sipas tregjeve, vendet e CEFTA-s vazhdojnë të jenë destinacioni kryesor i eksporteve kosovare.

Nga gjithsej 94.1 milionë euro eksporte, 43.1 milionë euro ose 45.7 për qind u realizuan në vendet e CEFTA-s, duke shënuar një rritje të ndjeshme nga 34.5 milionë euro ose 42.5 për qind sa ishin në maj 2025.
Eksportet drejt vendeve të Bashkimit Evropian arritën në 30.8 milionë euro ose 32.7 për qind të totalit, kundrejt 29 milionë eurove ose 35.6 për qind një vit më parë. Ndërkohë, eksportet drejt vendeve të tjera arritën në 20.3 milionë euro ose 21.6 për qind të totalit, nga 17.9 milionë euro në vitin paraprak.
Nga ana tjetër, importet dominohen nga vendet e Bashkimit Evropian. Në maj 2026, Kosova importoi nga BE-ja mallra në vlerë prej 301.3 milionë eurosh, ose 47.2 për qind të importeve të përgjithshme, krahasuar me 265.1 milionë euro ose 43.8 për qind në maj 2025.
“Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një rritje të deficitit tregtar prej 4,0 % në muajin maj 2026, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2025, gjegjësisht në vlerë prej 544,4 milion Euro, krahasuar me deficitin prej 523,4 milion Euro në vitin 2025. Eksporti mbulon importin me 14,7 %. Eksporti i mallrave në muajin maj 2026 kishte vlerën 94,1 milion Euro, ndërsa importi 638,6 milion Euro, që është një rritje prej 15,7 % për eksport, si dhe një rritje prej 5,6 % për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025”.
Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 85.3 milionë euro ose 13.4 për qind të totalit, duke u rritur nga 69.6 milionë euro ose 11.5 për qind një vit më parë. Ndërsa nga vendet e tjera u importuan mallra në vlerë prej 252 milionë eurosh ose 39.5 për qind të importeve, krahasuar me 270 milionë euro ose 44.6 për qind në maj 2025.

Sipas strukturës së eksporteve, pjesën më të madhe e zënë metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 27.5 për qind, të ndjekura nga plastika, goma dhe artikujt prej tyre me 11.1 për qind, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 10.7 për qind, artikujt e ndryshëm të prodhuar me 8.9 për qind dhe produktet minerale me 8 për qind.
Në import, produktet minerale përbëjnë 15.2 për qind të totalit, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani 12.6 për qind, makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike 12 për qind, mjetet e transportit 11.7 për qind dhe metalet bazë me artikujt prej tyre 10.8 për qind.
Partnerët kryesorë të Kosovës për eksport në Bashkimin Evropian ishin Gjermania me 9.9 për qind të eksporteve, Italia me 4.9 për qind dhe Holanda me 2.7 për qind. Në CEFTA dominuan Maqedonia e Veriut me 16.4 për qind, Shqipëria me 14.8 për qind, Mali i Zi me 6.6 për qind dhe Serbia me 6.4 për qind. Ndërsa nga vendet e tjera, Zvicra përbënte 10.6 për qind të eksporteve dhe Turqia 4.5 për qind.
Sa i përket importeve, Gjermania mbetet furnizuesi më i madh me 13.1 për qind të totalit, e ndjekur nga Italia me 8.8 për qind dhe Polonia me 4.1 për qind. Nga CEFTA, pjesën më të madhe e zënë Maqedonia e Veriut me 4.9 për qind, Shqipëria me 4.1 për qind dhe Serbia me 3.2 për qind, ndërsa nga vendet e tjera dominojnë Turqia me 13.9 për qind dhe Kina me 12.2 për qind.

