Një zjarr që shpërtheu pasditen e së martës në një rrokaqiell në Madrid është vënë nën kontroll nga shërbimet zjarrfikëse.
Ndërtesa 49-katëshe, ku ndodhen zyrat e kompanisë së energjisë Moeve, në zonën financiare të kryeqytetit spanjoll, u evakuua menjëherë pasi nga disa kate nisi të dilte tym i dendur.
Sipas policisë lokale, nuk raportohet për persona të lënduar. Një dëshmitar tha se iu desh të zbriste 34 kate në këmbë për t’u larguar nga ndërtesa.
Një tjetër dëshmitare i tha Reuters se kishte parë dhe ndier erën e tymit përpara se të aktivizohej alarmi i emergjencës. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale dhe mediat lokale tregonin shtëllunga të mëdha tymi që dilnin nga katet e mesme të godinës.
Tymi ishte i dukshëm nga një distancë e madhe, çka bëri që autoritetet të urdhëronin evakuimin e menjëhershëm të ndërtesës dhe të nisnin kërkimet për tre persona që dyshohej se ndodheshin ende brenda.
Sipas agjencisë Europa Press, në vendngjarje u angazhuan forca të shumta zjarrfikëse dhe ekipe emergjence, të cilat punuan për neutralizimin e flakëve dhe verifikimin e sigurisë së objektit përpara se të lejohej rikthimi i personelit.
Një punonjës i një ndërtese pranë vendit të ngjarjes përshkroi momente tensioni gjatë evakuimit, por theksoi se procesi u zhvillua në mënyrë të organizuar falë stërvitjeve të mëparshme të sigurisë.
“Njerëzit po vraponin, por kishte qetësi. Qindra persona janë evakuuar nga ndërtesat”, tha ai.
Kulla, e njohur deri vonë si Torre Foster, është në pronësi të kompanisë Pontegadea të biznesmenit Amancio Ortega që prej vitit 2016, kur u ble për rreth 490 milionë euro. Me 248 metra lartësi dhe 49 kate, ajo renditet ndër rrokaqiejt më të lartë në Spanjë dhe është pjesë e kompleksit Cuatro Torres Business Area në Madrid.
Mediat spanjolle raportojnë se ndërtesa është përballur edhe më parë me një incident të ngjashëm, duke rikthyer në vëmendje diskutimet mbi standardet e sigurisë në objekte të kësaj përmase.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e zjarrit.
