Kosovë Lajme Politikë

Pas Pejës dhe Lipjanit, edhe Dega II në Prishtinë kërkon largimin e Abdixhikut

Dega e II-të e LDK-së në Prishtinë po kërkon dorëheqjen e Lumir Abdixhikut nga kryetari i partisë, pikërisht kur një gjë e tillë u kërkua edhe nga dega e Pejës dhe e Lipjanit.

Në reagimin e kësaj dege thuhet se “Lidhja Demokratike e Kosovës po kalon njërën nga periudhat më të vështira në historinë e saj. Pas humbjeve të njëpasnjëshme, LDK-ja po rrëshqet drejt margjinalizimit politik, duke e betonuar veten në pozitën e tretë dhe duke u shndërruar në një parti pa peshën e duhur politike dhe shtetndërtuese. Ky është një realitet i papranueshëm për partinë e Ibrahim Rugovës dhe një dëm i madh për vetë shtetin e Kosovës”.

Sipas kësaj dege, “Kryetarit Lumir Abdixhiku, në një varg procesesh zgjedhore, i janë dhënë të gjitha mundësitë dhe hapësirat për ta rikthyer LDK-në në rrugën e fitores, por, fatkeqësisht, rezultatet kanë munguar”.

Andaj, kjo degë kërkon që “LDK-ja duhet ta rikthejë veten me energji të reja, me lidership të ri, me struktura të rifuqizuara dhe me një bashkim të vërtetë të të gjithë atyre që kanë për mision avancimin e interesave të shtetit të Kosovës dhe të së ardhmes së saj, e jo realizimin e interesave të ngushta individuale apo grupore”.

Reagimi i plotë:https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fldkprishtinedega2%2Fposts%2Fpfbid0D81bwgMC367iPchpg3hJpqj3WPoeaAJSmXmR2FqQWsZ7pmV1h2yDpb2nFctknWXPl&show_text=true&width=500

Kurse, edhe dega e LDK-së në Pejë, njofton se pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të qershorit, “me shumicë votash, anëtarët e Kryesisë në Pejë kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë”.

“Në këtë drejtim, është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja”, thuhet në njoftimin e degës.

“Kryesia konsideron se ky duhet të jetë një imperativ i qartë i kësaj shtëpie të demokracisë, në funksion të ruajtjes së besimit të anëtarësisë dhe forcimit të standardeve demokratike brenda partisë”, përfundon njoftimi.