Norvegjia do të hapë një konsullatë të përgjithshme në kryeqytetin e Groenlandës, Nuuk, të kryesuar nga një diplomat norvegjez. Lajmin e njoftoi të premten kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Stoere.
Përpjekja e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të blerë ose kontrolluar Groenlandën, një ishull gjysmëautonom nën Mbretërinë e Danimarkës, ka tensionuar marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe anëtarëve evropianë të NATO-s.
“Veriu i Epërm mbetet përparësia më e rëndësishme strategjike e Norvegjisë dhe Arktiku po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për politikën dhe sigurinë ndërkombëtare”, tha Stoere në një konferencë për shtyp.
“Një Konsullatë e Përgjithshme në Nuuk do të forcojë si kontaktin politik ashtu edhe bashkëpunimin mbi interesat e përbashkëta në rajon”, tha ai.
Franca më herët këtë vit hapi një konsullatë në Grenlandë, ndërsa Shtetet e Bashkuara muajin e kaluar e zhvendosën konsullatën e tyre ekzistuese në një vend më të madh.
