Ishte i vetmi që pranoi të përballët me aktgjykimin për sulmin terroristë të Banjskës. Dushan Maksimoviq erdh i prangosur në Gjykatën Themelore të Prishtinës për të dëgjuar vet dënimin ndaj tij të shpallur nga trupi gjykues.
Maksimoviq, u dënuar me 30 vjet burgim për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, por ai gjithashtu rezulton i përfshirë edhe në një tjetër rast të rëndë që lidhet me zhvillimet në veri të Kosovës – barrikadat e dhjetorit 2022.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Maksimoviq akuzohet se, bashkë me persona të tjerë, ka qenë pjesë e grupit që organizoi dhe mbështeti barrikadat në Zveçan dhe zona të tjera të veriut, me qëllim pengimin e funksionimit të institucioneve të Kosovës dhe Policisë së Kosovës.
Vetë Maksimoviq ka pranuar para prokurorëve se kishte marrë pjesë disa herë në barrikadat e Rudarit dhe Banjskës, por ka mohuar të ketë pasur rol organizativ. Ai ka deklaruar se kishte shkuar atje nga frika se mund ta humbiste vendin e punës në hotelin “Rajska Banjska”.
Megjithatë, sipas Prokurorisë, provat e siguruara nga telefoni i tij tregojnë një tablo krejt tjetër. Nga ekzaminimi forenzik janë gjetur fotografi ku Maksimoviq shihet me uniformë ushtarake, jelek antiplumb, maskë dhe armë zjarri, si dhe fotografi të personave të armatosur në zonat e barrikadave.
Po ashtu, ai ishte pjesë e një grupi në Viber me emrin “Barikada December 2022”, ku komunikonte me Milosh Radosavljeviqin, Nemanja Joloviqin, dy të akuzuar gjithashtu për këtë rast, si edhe me persona të tjerë. Në këtë grup janë gjetur mesazhe që flasin për uniforma, municion dhe organizimin e pjesëmarrësve në barrikada.
Para prokurorëve, Maksimoviq ka pranuar se mesazhe të tilla si “Ka arritur uniforma”, “Sot të gjithë do të pranojmë municionin” dhe komunikime të tjera të ngjashme janë autentike, megjithëse ka thënë se nuk ka shpjegim për përmbajtjen e tyre. Ai gjithashtu ka pranuar se në disa fotografi shfaqet vetë i uniformuar, ndërsa në një rast ka konfirmuar se mbante edhe një pushkë gjuetie.
Sipas Prokurorisë Speciale, komunikimet, fotografitë dhe materialet e tjera të gjetura në telefon dëshmojnë se Maksimoviq nuk ishte thjesht një pjesëmarrës pasiv në barrikada, por pjesë e rrjetit që koordinonte aktivitetet në terren, shpërndante informacione operative dhe mbështeste organizimin e strukturave që vepronin në veri.
Ndonëse ai vazhdon të mohojë përfshirjen në aktivitete kriminale, Prokuroria konsideron se provat e mbledhura tregojnë rol aktiv në grupin që qëndronte pas barrikadave të vitit 2022 – një episod që, sipas akuzës, parapriu organizimet e mëvonshme të grupeve të armatosura në veri, kulmuar me sulmin terrorist në Banjskë, për të cilin Maksimoviq tashmë është dënuar me 30 vjet burg.
