Kosovë Lajme

Ushtria amerikane: Do ta rregullojmë praninë në Kosovë bazuar në vendimin e fundit të NATO-s, KFOR-i kyç për stabilitetin

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka konfirmuar se prania ushtarake e Aleancës Veri-Atlantike në Kosovë do të kthehet në numrat e para vitit 2023. Ai ka treguar se do të ketë një zvogëlim prej 1 mijë e 200 deri në 1 mijë e 500 trupash varësisht nga rrethanat. Këtij rregullimi të prezencës ushtarake të NATO-s do t’i nënshtrohet edhe ushtria amerikane.

Komanda Evropiane e Ushtrisë Amerikane në një përgjigje Express kanë konfirmuar se trupat amerikane do t’i nënshtrohen një rregullimi në përputhje me direktivat e fundit Shtabit Suprem të Fuqive Aleate në Evropë [ SHAPE] në kuadër të NATO-s, transmeton Periskopi.

Kjo përshtatje e pjesëmarrjes së ushtrisë amerikane në misionin e KFOR-it në Kosovë, siç pohon Komanda Evropiane, do të bëhet në disa faza dhe duke u bazuar në vlerësimin e rrezikut.

“Bazuar në rishikimin më të fundit vjetor të kryer nga Shtabi Suprem i Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE), NATO do të optimizojë pozicionimin e misionit të saj në Kosovë (KFOR). Si rezultat, Komanda Evropiane e SHBA-së do të zbatojë një përshtatje graduale dhe të bazuar në vlerësimin e rrezikut të kontributit amerikan në KFOR, në përputhje me optimizimin e udhëzuar nga SHAPE”, ka thënë një zyrtar i Zyrtar i Komandës Evropiane të SHBA-së.

Nga Komanda Evropiane e SHBA-së thonë se pjesëmarrjen e tyre në KFOR vazhdojnë ta cilësojnë si një komponent kyç për stabilitetin rajonal.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta konsiderojnë këtë mision si një komponent kyç të stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor”, ka përfunduar ky zyrtar i Komandës Evropiane të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sekretari i NATO-s, Mark Rutte, dje ka deklaruar se numri i trupave të KFOR-it do të shkojë nga 4 mijë e 700 në 3 mijë apo 3 mijë e 500, kjo për shkak të zhvillimeve pozitive që lidhen me sigurinë.

“Në këtë moment, shihni se KFOR-i ka një madhësi të përgjithshme prej rreth 4700 trupash. Ajo që do të bëjmë është të kthehemi në nivelet para vitit 2023, sigurisht, dhe në varësi të rrethanave, do të shihni një KFOR që ecën përpara me midis 3000 dhe 3500 trupa, dhe kjo mendoj se pasqyron situatën e përmirësuar të sigurisë, ku misioni i KFOR-it, sigurisht, mbetet absolutisht i përqendruar në misionin e tij kryesor”, ka thënë ai.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ndër kontribuuesit më të mëdhenj me trupa në KFOR. Aktualisht kanë në Kosovë 590 trupa.