Lajme Shqipëri

Rama thumbon protestuesit: Flamingot duhet ta dinë se janë të keqinformuar nga sorrat dhe korbat

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka komentuar sot dy herë protestën qytetare për Zvernecin.

Në statusin e tij të parë ai ka bërë me dije se qëllimet e mira nuk mjaftojnë nëse nuk mbështeten te faktet, arsyeja dhe dialogu.

Kurse, në statusin e tij të dytë, Rama ka thumbuar disa nga protestuesit.

Ai ka vlerësuar se flamingot duhet ta dinë se janë të keqinformuar nga sorrat dhe korbat.

“E kanë pasur dhe e kanë në xhep fitoren flamingot e të gjithë shqiptarët që duan mjedisin dhe zhvillimin, sepse sa të jemi unë dhe Partia Socialiste në krye të detyrës, mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi në harmoni me natyrën në zonat me ndjeshmëri të veçantë është prioritet i padiskuteshëm, ndërsa provat e prekshme të tre mandateve tona për këtë janë kokëforta🦩❤️ Sa për “fitoren e parë” flamingot duhet ta dinë se janë të keqinformuar nga sorrat dhe korbat, që e duan mjedisin si gjethe fiku për të nxitur një protestë e cila s’ka më asnjë lidhje me mjedisin. Sepse amendamenti i “fitores” u rrëzua, ndërsa amendamenti i miratuar nuk ka asnjë lidhje me Zvërnecin, pra me pejsazhin e mbrojtur Pishë Poro – Nartë, po shprehimisht me zonën e mbrojtur Nartë – Vjosë ku qeveria ndan absolutisht të njëjtin qëndrim me rezolutën. Dhe kjo nuk është lojë fjalësh me emra vendesh, po është e vërteta e fakteve që burojnë nga dokumentacioni teknik zyrtar, jo nga kanalet sociale”, ka shkruar ai nder të tjera.