Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të përgatis një raport të veçantë pas rinumërimit të 185 vendvotimeve të rregullta, fletëvotimet e të cilave janë numëruar paraprakisht në 38 Qendrat Komunale të Numërimit.
Ky raport do të evidentojë gjetjet nga rinumërimi, përfshirë dallimet e rezultateve mes numërimit dhe rinumërimit të këtyre vendvotimeve.
Kështu ka deklaruar në një konferencë për media, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ku është duke u zhvilluar rinumërimi, pasi është pyetur nëse rinumërimi do të mund të vonojë shpalljen e rezultateve përfundimtare.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i gatshëm teknikisht që të shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit, por sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, duhet të presim nëse do të ketë ankesa lidhur me administrimin e numërimit nga dita e fundit e zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Në versionin më të mirë, nëse nuk do të ketë ankesa, KQZ mund të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare, por nëse do të ketë, KQZ do të presë vendimmarrjen e PZAP-it dhe Gjykatës Supreme, të zbatojë vendimet e tyre nëse e obligojnë ndonjë gjë KQZ-në dhe pastaj të mund të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare. Natyrisht se para shpalljes së rezultateve përfundimtare, KQZ do të shqyrtojë gjetjet që do të dalin nga procesi i rinumërimit. Kjo do të thotë se pas përfundimit të procesit të rinumërimit, do të përgatitet një raport i detajuar mbi gjetjet e evidentuara. Raporti do t’u paraqitet anëtarëve të KQZ-së për shqyrtim dhe vendimmarrje. Varësisht nga gjetjet dhe rekomandimet e përfshira në raport, KQZ do të vendosë për hapat e mëtejmë”, tha Elezi.
Ai po ashtu tregoi se procesi i rinumërimit të 185 vendvotimeve pritet të përmbyllet brenda dy ditësh.
“Sipas dinamikës e cila po zhvillohet këtu në QNR besojmë që brenda dy ditësh do të përmbyllet rinumërimi i të gjitha këtyre vendvotimeve”, ka thënë ai.
