Kosovë Lajme

Paguhej deri në 700 euro nga BIA, Hysri Selimi dënohet me burg

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Hysri Selimit, duke e dënuar me gjashtë vite burgim për spiunazh.

Aktgjykimi u shpall të hënën për veprën penale “spiunazhi”.

Vendimi është përshëndetur edhe nga Prokuroria Speciale përmes një njoftimi të lëshuar në kanalin e tyre zyrtar.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës mirëpret vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj H.S, i akuzuar për veprën penale të spiunazhit. Ky vendim përfaqëson një hap të rëndësishëm në zbatimin e sundimit të ligjit dhe në mbrojtjen e sigurisë kombëtare“, thuhet në njoftim.

Hysri Selimi, i arrestuar nga autoritetet e Kosovës më 06.05.2025, si i dyshuar për spiunazh, sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ishte i rekrutuar nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA).

Sipas dosjes së PSRK-së, Selimi ka mbledhur e më pas i ka dhënë informacione BIA-s për numrin e personave të radikalizuar dhe numrin e atyre qytetarëve të Kosovës që kanë shkuar për të luftuar në Siri.

PSRK pretendon se këto nuk ishin informacionet e vetme që i janë dhënë BIA-s serbe.

Në dosjen e saj, Prokuroria Speciale thotë se Hysri Selimi i ka përcjellë shërbimit sekret të Serbisë informacione edhe për zyrtarë të lartë të partive politike të Kosovës, si dhe informacione rreth institucioneve të sigurisë së Kosovës.

Sipas dosjes, këto informacione të grumbulluara për BIA-n serbe ishin transmetuar përmes takimeve fizike duke shkuar në territorin e Serbisë.

Prokuroria thotë se Selimi ishte paguar për këto veprimtari në vlerë deri në 700 euro.

Prokuroria Speciale thotë në dosje se BIA serbe i ka dhënë Selimit edhe telefona të mençur që janë përdorur për të zhvilluar komunikimet me zyrtarët e Serbisë.

I arrestuari Hysri Selimi ishte gjykuar nga drejtësia kosovare për veprën e terrorizmit dhe se kishte qenë pjesë e organizatës ISIS.

I njëjti bashkë me anëtarët e tjerë të familjes kishin lëshuar Kosovën- me destinacion Sirinë, në mënyrë që t’i bashkoheshin ISIS-it.

Hysri Selimi nga fshati Bresalc i Komunës së Gjilanit ishte i njohur nën dyshimin për lidhje me ISIS-n, derisa sipas aktakuzës së asaj kohe Selimi ishte angazhuar në byronë e ushtarëve të plagosur të ISIS-it për çka edhe ishte paguar rregullisht nga kjo organizatë me nga 100 USD në muaj.

Në vitin 2022, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër  tij për veprën penale organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist.

Ai akuzohej se me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake së bashku me bashkëshorten e tij dhe vajzën e mitur kishte lëshuar territorin e Kosovës përmes Aeroportit Ndërkombëtarë “Adem Jashari” në Prishtinë.

Ai kishte udhëtuar për në Stamboll-Turqi dhe përmes lidhjeve të caktuara ka depërtuar në Siri me qëllim që t’i bashkëngjitet Organizatës terroriste ‘’ISIS’’ e cila në këto vende ka qenë duke luftuar ku edhe është angazhuar si pjesëtarë i ‘’ISIS-it’’, si administrator në Byronë e ushtarëve të plagosur nën administrimin e ‘’ISIS-it’’, është financuar nga ‘’ISIS’’ me shumën e të hollave prej nga 100 dollar në muaj duke bashkëpunuar edhe me eprorë dhe luftëtarë të ‘’ISIS-it’’.

Sipas prokurorisë, i njëjti në këtë organizatë terroriste ka qenë i angazhuar në Byronë e ushtarëve të plagosur, dhe për këtë funksion është financuar nga ISIS me shumën e të hollave prej 100 USD në muaj.

Hysri Selimi ishte riatdhesuar në Kosovë më datë 28.05.2022.