Kosovë Lajme

Pensionistët e vuajnë rritjen e çmimeve në Kosovë, nuk e arrijnë dot fundin e muajit me shpenzime

Jakup Vitija, pensionist nga Prishtina thotë se e ka gjithnjë e më të vështirë të përballoj shpenzimet bazike të jetesës. Një pjesë e madhe e të ardhurave të tij shkon për barna, ndërsa rritja e vazhdueshme e çmimeve, sipas tij, e bën pothuajse të pamundur mbërritjen deri në fund të muajit, raporton KosovaPress.

Shqetësimi i tij pasqyron një realitet me të cilin po përballen shumë familje në Kosovë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) në maj 2026 shënoi një rritje vjetore prej 6.8 për qind.

Pasojat e rritjes së çmimeve e konfirmojnë edhe vetë qytetarët. Imer Gjokaj thotë se kostoja e jetesës po bëhet gjithnjë e më e rëndë për familjet.Ndërsa edhe tregtarët e konfirmojnë rritjen e çmimeve në treg, duke theksuar se kjo është e pashmangshme pasi sipas Visar Hajdari, tregtar, edhe çmimet e furnizimit kanë shënuar rritje.

Deri në 6 euro një kilogram fasule

Sipas tij, krahas shtrenjtimit të perimeve, ka rënë ndjeshëm edhe numri i blerësve. Ata thonë se tregu nuk është më si më parë, pasi shitjet janë përgjysmuar dhe qarkullimi ka rënë dukshëm.

S’ka blerës

Këtë edhe ekspertët e ekonomisë e konsiderojnë shqetësues për një vend që vazhdon të përballet me varfëri, papunësi dhe varësi të lartë nga importi, raporton KosovaPress.

Profesori i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, Nagip Skenderi, thotë për KosovaPress se goditjen më të madhe nga inflacioni po e ndjejnë pensionistët dhe punëtorët me paga fikse, pasi të ardhurat e tyre nuk po përshtaten me ritmin e rritjes së çmimeve.

Sipas tij, inflacioni po e vështirëson gjithnjë e më shumë mbulimin e nevojave bazike të familjeve.

Inflacioni rreth 7% po godet më së shumti pensionistët dhe punëtorët me paga fikse

Sipas Skenderit, ndikimi i inflacionit vërehet veçanërisht te mallrat dhe shërbimet bazike, të cilat zënë peshën më të madhe në shpenzimet e familjeve.

Një nga sektorët që veçon ai është ai i strehimit. Ai vlerëson se kërkesa e lartë për banim në qendrat urbane, e kombinuar me numrin e kufizuar të banesave që ofrohen me qira, ka ndikuar drejtpërdrejt në shtrenjtimin e këtij sektori.

Ngjashëm vlerëson edhe ekonomisti Ismet Mulaj, i cili inflacionin e sheh si një problem strukturor të ekonomisë së Kosovës. Sipas tij, një sërë faktorësh po ndikojnë në rritjen e vazhdueshme të çmimeve, ndërsa varësia e madhe nga importi mbetet ndër shkaqet kryesore.

Rreth 90% e produkteve importohen

Mulaj: Kjo e bën Kosovën të ndjeshme ndaj inflacionit

Përveç varësisë nga importi, Mulaj për KosovaPress thotë se rritja e çmimeve të derivateve ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e përgjithshme të inflacionit. Sipas tij, krizat ndërkombëtare mbeten ndër faktorët kryesorë të kësaj rritjeje.

Megjithatë, ai thekson se ndikim ka edhe struktura e tregut vendor të derivateve, i cili dominohet nga një numër i kufizuar operatorësh, çka mund të kufizojë konkurrencën dhe të ndikojë në çmime.

Përballë këtyre zhvillimeve, ekspertët vlerësojnë se zbutja e inflacionit kërkon masa afatgjata dhe ndryshime të thella në strukturën ekonomike të vendit.

“Duhet shkuar në ndryshimin e strukturës ekonomike, të shkohet më tepër në infuzionin ekonomike drejt prodhimit, të përkrahen proceset prodhuese, firmat prodhuese të përkrahen më tepër, po edhe ato të cilat janë shërbyese që ofrojnë vende të reja të punës në këtë kontekst. Edhe në këtë aspekt do të do të ishte shumë e mirëseardhur angazhimi i të gjitha, si të them, subjekteve politike për ta gjetur një formulë të përbashkët për ndryshimin e strukturës ekonomike në Kosovë sepse me këtë strukturë ekonomike deri sa neve jemi, kemi një disbalancë shumë të madh në mes të eksporteve dhe importeve, kemi deficit tregtar shumë të lartë, kemi papunësi po ashtu shumë të lartë, kemi varfëri po ashtu që po vjen duke u rritur shumë shumë lartë, dhe në këtë kontekst të gjithë indikatorët kryesorë makroekonomikë janë duke shënuar negativizëm në zhvillimin e tyre substancial ekonomik dhe social”,tha ai.

Në të njëjtën linjë, edhe Mulaj vlerëson se qeveria duhet të ndjekë një qasje më gjithëpërfshirëse për të frenuar inflacionin dhe për të krijuar një ekonomi më konkurruese.

Mulaj shton se ulja e çmimit të energjisë elektrike, si dhe harmonizimi i rritjes së pagave dhe subvencioneve me rritjen e prodhimit vendor, janë ndër masat që mund të ndihmojnë në frenimin e inflacionit.

Sipas ekonomistit, nëse trendi i rritjes së çmimeve vazhdon dhe nuk shoqërohet me zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, pasojat mund të jenë të ndjeshme si për qytetarët, ashtu edhe për bizneset.

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) në Kosovë shënoi rritje vjetore prej 6.8 për qind në muajin maj 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa në baza mujore u regjistrua rënie prej 0.4 për qind, bën të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).