Futbolli kosovar është tronditur nga lajmi për ndarjen nga jeta të futbollistit Leonit Aliu. Pas lajmit të hidhur, KF Fushë Kosova ka reaguar përmes një postimi prekës në rrjetet sociale, duke i dhënë lamtumirën njërit prej futbollistëve të klubit.
Futbollisti i KF Fushë Kosovës është konfirmuar si njëri nga dy të rinjtë nga Kosova që humbën jetën tragjikisht të mërkurën në plazhin ‘Rana e Hedhun’ në Shëngjin, pasi u përfshinë nga dallgët e fuqishme të detit.
Në mesazhin e publikuar në rrjetet sociale, klubi ka shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e Aliut, duke theksuar se ai do të kujtohet gjithmonë si një djalë i mirë, i buzëqeshur dhe plot energji pozitive.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen tënde nga jeta. Do të të kujtojmë gjithmonë si një djalë të mirë, të buzëqeshur dhe plot jetë. Kujtimi yt do të mbetet përherë në zemrat tona. U prehsh në paqe, Leonit”, thuhet në reagimin e KF Fushë Kosovës.
Lajmi për vdekjen e Leonit Aliut ka ngjallur pikëllim të madh te bashkëlojtarët, miqtë dhe komuniteti sportiv në vend, të cilët kanë shprehur ngushëllimet e tyre për familjen dhe të afërmit e tij./Periskopi
