Prezantimi i detajuar në fushatë zgjedhore i arsenalit ushtarak e policor që ka Republika e Kosovës, nga ish-ushtarak e njohës të sigurisë në vend, po konsiderohet veprim joetik dhe shkelje e sekretit shtetëror.
Kjo, pasi në tubimin e mbrëmshëm elektoral në Gjakovë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti para simpatizantëve të tij ndër të tjerash tregoi për investimet që janë bërë në fushën e mbrojtjes, duke dhënë detaje edhe për llojet e ndryshme të sistemeve të armatimit dhe sasinë e tyre.
“Forca e Sigurisë së Kosovës në vitin 2021 i ka pasur 2,100 ushtarë e oficerë dhe vetëm dy lloje armatimi: revole Glock dhe pushkë, Regler edhe kaq. Më e armatosur ka qenë policia sesa ushtria. Më shumë armatim, kam përshtypjen, kemi pasur nëpër oda sesa në kazerma. E sot FSK-ja i ka mbi 40 lloje të ndryshme të sistemeve të armatimit, duke përfshirë tri lloje të fluturakeve luftarake pa pilot. Katër lloje të sistemeve raketore antitank, katër lloje mortajash dhe shumë lloje mitralozësh të lehtë e të rëndë, si dhe sasi të mjaftueshme të pushkëve individuale jo vetëm për pjesëtarët aktivë, por edhe për rezervën vullnetare që do ta nisim në mandatin e ardhshëm. Së fundmi kemi blerë edhe sistemin modern të artilerisë Haëkeye 105 mm dhe jemi në proces të blerjes së helikopterëve Black Haëk nga SHBA-të. Me qëllim të kompletimit të flotës së transportit ushtarak kemi blerë kamionë Unimog nga Mercedes-Benz; 10 i kemi blerë dhe 5 na janë dhënë donacion. Po ashtu kemi Humvee dhe autoblinda nga SHBA-ja, si dhe autoblinda ushtarake turke Cobra dhe Vuran me mortaja 120 mm me shënjestrim digjital preciz. Përveç sistemeve raketore antitank Javelin, kemi edhe sistemin raketor antitank OMTAS 66 dhe Panzerfaust 3. Gjithashtu, fluturaket Bayraktar TB2 kanë raketa antitank dhe antibunker, me të cilat mund të godasim objektivat nga ajri. Tashmë ua kemi bërë të padobishme flotën e tankeve dhe mjeteve të blinduara të Serbisë”, theksoi ai para simpatizantëve në Gjakovë.
Por, kjo deklaratë e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje nga njohës së çështjes së sigurisë po konsiderohet shkelje e sekretit shtetëror.
Ish-koloneli ushtarak, Afrim Veseli vlerëson se përdorimi i këtyre të dhënave në fushatë zgjedhore për përfitime politike është i gabuar dhe kërkon nga organet hetimore të shqyrtojnë nëse ka pasur shkelje të ligjit.
Ai thekson se armët dhe kapacitetet ushtarake janë informacione të ndjeshme dhe nuk duhet të bëhen publike.
“Është shumë gabim. Unë e kam thënë edhe shumë herë përpara, sa herë që kanë ndodh, që ka dalë kryeministri Kurti që ka dhënë këto deklarata. Kur një ushtarak zihet në rreth të armikut, janë katër çështje që ai edhe me çmimin e jetës nuk u tregon atyre. Llojin e armatimit çfarë ka, sasinë e tij, komandantin e njësisë, sa ushtarë janë edhe vendbazimin. Të dihet publikisht, për pak vota, edhe të përpiqet përmes ushtrisë dhe armatimeve që Kosova i posedon të fitohen vota, unë e konsideroj që është gabim dhe është shkelje e sekretit shtetëror. Pra, konsideroj që edhe prokuroria e shtetit do të duhej të hetonte këtë. Nëse themi rezerva shtetërore ka qenë sekret, po armët? A janë sekret armët? Normal që janë sekret, po është e panatyrshme, e pazakontë dhe e paarsyeshme kjo se çfarë po ndodh në një fushatë të tillë zgjedhore”, deklaroi ai.
Se për llojin, sasinë, dislokimit e armatimit ushtarak nuk është etike të flitet thotë edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi.
Megjithatë, ai vlerëson se arritjet në sektorin e mbrojtjes mund të prezantohen, por në mënyrë të përgjithshme dhe jo me detaje të hollësishme.
“Se jo i gjithë arsenali ushtarak është i klasifikuar si sekret për arsye se me rregullat në fuqi, do të thotë, arsenali është transparent. Pjesa më e madhe është transparente, mirëpo janë disa segmente të arsenalit ushtarak të cilat nuk, nuk bëhen publike dhe nuk dihen. Për shembull sasia nuk ekspozohet para qytetarëve. Për një pjesë të arsenalit nuk prezantohet dislokimi, ku është i dislokuar…. Mirëpo sidoqoftë, sidoqoftë brenda Ministrisë së Mbrojtjes, brenda Qeverisë duhet të jetë një, një nomenklaturë e cila, e cila ka të radhitura se çfarë është sekret shtetëror dhe çfarë nuk është. Kjo është e para. E dyta, numërimi ose prezantimi i sasisë së arsenalit nuk është etik që të përdoret në fushata zgjedhore. Zakonisht në fushatë zgjedhore prezantohen të arriturat, të arriturat në të gjitha fushat, përfshirë edhe fushën e mbrojtjes. Mirëpo zakonisht bëhen me terma të përgjithshëm, po jo të detajizuar”, deklaroi ai.
Gazeta ka kërkuar nga Ministria e Mbrojtjes sqarime se cilat janë të dhënat që duhet mbajtur sekret lidhur me sasinë e llojet e armëve që i ka Forca e Sigurisë, por nuk ka marrë përgjigje.
