Lajme Maqedoni

Dorëhiqet Arben Fetai: Po largohem me kokën lart

Arben Fetai, ka dhënë dorëheqje nga pozita e zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut.

Lajmi u bë i ditur nga vet ai përmes rrjetit social Facebook.

“Gjatë këtyre dy viteve kam pasur nderin dhe privilegjin t’i shërbej vendit, duke kontribuar në reforma që synojnë forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe shtetit të së drejtës, një mision sa i rëndësishëm aq edhe jofalenderues”, ka shkruar ai.

“A jam plotësisht i kënaqur me atë që kemi arritur? Sigurisht që jo. Gjithmonë ka hapësirë për më shumë, për më mirë dhe për më shpejt. Por a kam punuar me përkushtimin maksimal për të vendosur themele të shëndosha mbi të cilat mund të ndërtohet më tej? Pa asnjë mëdyshje, po”, shtoi Fetai transmeton Klankosova.tv.

Fetai theksoi se largohet nga ky post me kokën lart dhe me ndërgjegje të pastër.

“Ky është një vendim i mirëmenduar, i marrë me bindjen se në rrethanat aktuale kjo është gjëja më e drejtë dhe më dinjitoze. Falënderoj të gjithë ata që më kanë besuar, më kanë mbështetur dhe kanë bashkëpunuar me mua gjatë këtij rrugëtimi. Mirënjohje e veçantë për ekipin tim, partnerët ndërkombëtarë, shoqërinë civile dhe qytetarët që më kanë dhënë forcë e motivim në çdo hap”, theksoi Fetai.

“Shërbimi ndaj interesit publik nuk mbaron kur mbaron funksioni. Përkundrazi, ai vazhdon kudo ku ka nevojë për integritet, kurajë dhe zëra të lirë në mbrojtje të së mirës së përbashkët”.

Arben Fetai e ka prezantuar edhe letrën e dorëheqjes.