Publikimi në dy pjesë i bisedave nga grupi sekret në WhatsApp, ku përveç Rozeta Hajdarit merrnin pjesë edhe dy vartës të saj në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë si dhe një person privat, e ku diskutohej për çështje që lidhen me Rezervat Shtetërore, është mohuar nga vetë ish-ministrja.
Në një përgjigje për Noval Media, Hajdari ka thënë se publikimet ndaj saj janë të motivuara politikisht dhe vijnë nga kundërshtarët e saj politikë.
“Është sulëm politik ndaj meje nga opozitarët”, ka deklaruar shkurt Hajdari.
Ajo nuk i ka pranuar pretendimet e ngritura në raport me përmbajtjen e bisedave, duke këmbëngulur se sulmet ndaj saj kanë prapavijë politike.
Përmbajtja e bisedave të publikuara nga Paparaci ia ka përmbysur, mbrojtjen publike që Albin Kurti i kishte bërë Hajdarit gjatë gjithë procesit të skandalit të Rezervave Shtetërore.
Në të paktën dy paraqitje publike, njëra përmes video-adresimit dhe tjetra në një intervistë për Kanal10, Kurti kishte shprehur mbështetje të plotë për ish-ministren, duke deklaruar se kishte besim të plotë në punën e saj. Ai kishte kritikuar edhe Prokurorinë Speciale për veprimet e saj në rastin e Rezervave Shtetërore.
“Unë kam besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë kur kishte krizë globale ministria që ajo drejton i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin”, kishte deklaruar Kurti në video-adresimin e tij.
Po ashtu, në intervistën për Kanal10, ai kishte mbrojtur sërish ministren.
“Gjithçka që ka thënë ministrja ime Rozeta Hajdari në konferencën për media pas ngritjes së aktakuzës është e vërtetë dhe e saktë dhe unë nuk mund t’i dyfishojë ministrat e mi sepse për atë janë ministrat, që unë të mos jem aty. Natyrisht se unë e marrë përgjegjësinë e plotë si kryeministër. Unë besoj që prokuroria me atë rast ka bërë shkelje dhe jo ministrja Rozeta Hajdari”, kishte deklaruar Kurti.
Në anën tjetër, bisedat e reja të publikuara nga grupi ku diskutoheshin çështjet e Rezervave Shtetërore tregojnë se Hajdari nuk kishte kundërshtime për produktet me origjinë nga Serbia.
Përkundrazi, nga komunikimet rezulton se ajo kishte kërkuar nga vartësit e saj në ministri që të hulumtonin tregun serb të drithërave dhe të siguronin informacione mbi çmimet dhe ofertat e grurit, pasi produkti në Serbi rezultonte dukshëm më i lirë krahasuar me tregun e Kosovës.
