Lajme Politikë

Presidenti i Këshillit Europian me porosi para se zbret në Ballkan: Koha për rezultate

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, paralajmëroi nisjen e turit të tij në Ballkanin Perëndimor, që më 2 qershor do ta sjellë edhe në Tiranë, në një moment kur Shqipëria ndodhet në fazën më intensive të procesit të integrimit europian.

Në postimin e tij, Costa thotë se angazhimi i Bashkimit Europian ndaj rajonit mbetet i fortë dhe se mundësia e zgjerimit është reale. “Momenti është këtu. Tani është koha për rezultate.” Me këtë mesazh të postuar në rrjetin social X ditën e sotme.

“Këtë javë do të vizitoj gjashtë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor. Vizita ime në rajon dërgon një sinjal të qartë: angazhimi ynë ndaj Ballkanit Perëndimor është real dhe kështu është edhe mundësia e zgjerimit. Momenti është aty. Tani është koha për të dhënë rezultate”, shkroi ai.

POSTIMI

Mesazhi i kreut të Këshillit Evropian vjen ndërsa Shqipëria po kalon një nga etapat më të rëndësishme të rrugëtimit drejt anëtarësimit në BE, një proces që nisi në vitin 2003 me negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Vendi mori statusin e kandidatit në vitin 2014, ndërsa hapja e negociatave u miratua në vitin 2020. Megjithatë, procesi u përball me vonesa të shumta, nga kërkesat e Francës për rishikimin e metodologjisë së zgjerimit deri te vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, që ndikoi edhe në rrugëtimin e Shqipërisë.

Konferenca e parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian u mbajt në korrik të vitit 2022, duke shënuar nisjen zyrtare të negociatave. Më pas, procesi u përball me një tjetër pengesë pas arrestimit të Fredi Belerit në vitin 2023, që solli bllokimin e përkohshëm të avancimit nga Greqia.

Vetëm në tetor 2024 Shqipëria hapi grupkapitullin e parë të negociatave, ndërsa gjatë viteve 2024 dhe 2025 janë hapur edhe grupkapituj të tjerë, duke e afruar vendin me fazën vendimtare të procesit.

Costa do të vizitojë Tiranën më 2 qershor, ku do të takohet me kryeministrin Edi Rama, presidentin Bajram Begaj dhe studentët e Kolegjit të Europës. Vizita zhvillohet pak ditë para Samitit BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi, ku zgjerimi pritet të jetë në qendër të diskutimeve.

Për Shqipërinë, vizita e presidentit të Këshillit Evropian vjen në një kohë kur Brukseli po kërkon rezultate konkrete nga vendet kandidate, ndërsa Tirana synon të mbyllë negociatat dhe të anëtarësohet në Bashkimin Europian brenda vitit 2030.