Kosovë Lajme

Lushtaku i “qepon” Kurtit: Fëmijët nuk janë rekuizitë elektorale!

Kandidati për deputet nga PDK-ja me numër 16, Mërgim Lushtaku, ka reaguar ashpër ndaj përdorimit të fëmijëve në aktivitetet e fushatës zgjedhore, duke e cilësuar këtë veprim si të turpshëm, të ulët dhe denigrues.

Përmes një deklarate publike, Lushtaku tha se etja për pushtet po i shtyn disa akterë politikë të kalojnë çdo kufi moral e njerëzor, duke përdorur edhe fëmijët për përfitime elektorale.

“Për fat të keq, ata që pushtetin e shohin si gjithçka, nuk hezitojnë t’i shfrytëzojnë fëmijët dhe të ecin edhe mbi kufoma vetëm për ta arritur atë”, deklaroi Lushtaku.

Ai theksoi se politika nuk duhet të shndërrohet në adhurim të individëve, por në angazhim për shtetin dhe të ardhmen e qytetarëve.

“Kam bërë thirrje që të mos bëhet tifo për politikanët, qofshin ata edhe të PDK-së, por të bëhet tifo dhe të punohet për Kosovën”, u shpreh ai.

Lushtaku e konsideroi të papranueshme përfshirjen e fëmijëve në aktivitete me karakter zgjedhor, duke kujtuar se një praktikë e tillë bie ndesh edhe me legjislacionin në fuqi.

“Është e papranueshme që fëmijët të përdoren për fushatë zgjedhore. Kjo është edhe e dënueshme sipas legjislacionit në fuqi”, theksoi kandidati i PDK-së.

Deklarata e tij vjen në një periudhë kur debati për etikën e fushatave zgjedhore dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve po zë vend gjithnjë e më shumë në opinionin publik.