Policia e Kosovës ka përmbyllur aktivitetin e prokurimit për furnizimin me pizhame dimri dhe çorapë për zyrtarët policorë, por në të dyja pjesët e tenderit fitues janë shpallur operatorët me ofertat më të shtrenjta, pasi shumica e konkurrentëve u eliminuan për shkak të mangësive teknike, procedurale dhe administrative.
Tenderi ishte i ndarë në dy llote, ndërsa pjesën e parë, që kishte të bënte me furnizimin me pizhame dimri, fitues u shpall grupi i operatorëve “FWRDZ L.L.C.” dhe “ARTA TEX GROUP SH.P.K.” me ofertë në vlerë prej 295,396 euro. Kjo ishte oferta më e lartë në këtë pjesë të tenderit, ndërkohë që kishte operatorë që kishin ofertuar nga 210,900 euro.

Ndërkaq, për pjesën e dytë të tenderit, që kishte të bënte me furnizimin me çorapë, fituese u shpall kompania “EMPREUS” SH.P.K. me ofertë prej 31,920 euro. Edhe në këtë rast bëhej fjalë për ofertën më të shtrenjtë, pasi kishte kompani që kishin ofertuar deri në 9,336 euro.
Sipas dokumentacionit të tenderit, arsyeja pse fitues dolën operatorët me çmimet më të larta lidhet me faktin se ofertat më të lira u konsideruan “të papërgjegjshme”, për shkak se nuk përmbushnin kriteret teknike dhe administrative të përcaktuara në dosjen e tenderit.
Në rastin e operatorit “Sabit Makiqi B.I.”, i cili kishte ofertën më të lirë për pjesën e parë në vlerë prej 210,900 euro, oferta u refuzua për shkak të vonesës në dorëzimin e mostrave. Sipas Policisë së Kosovës, dosja e tenderit kërkonte që mostrat të dorëzoheshin deri në orën 14:00 të ditës së hapjes së ofertave, ndërsa operatori ishte regjistruar në hyrje të objektit në orën 14:08 dhe kishte arritur në zyrën e prokurimit në orën 14:15. Për këtë arsye, mostrat nuk u pranuan fare për vlerësim.
Një tjetër operator, “Agron Commerce SH.P.K.”, që kishte ofertuar 175,270 euro për pizhamet e dimrit, u eliminua pasi nuk kishte dorëzuar sigurimin e kërkuar të tenderit. Nga kompania kërkohej garanci prej 5 mijë eurosh, ndërsa ajo kishte paraqitur vetëm 1,500 euro.
Konsorciumi “Every Day KTM SH.P.K.” dhe “Carino Tekstil”, që kishte ofertuar 268,400 euro për pjesën e parë dhe 12 mijë euro për pjesën e dytë, u skualifikua për shkak të gabimeve administrative. Sipas vlerësimit, grupi nuk kishte përdorur formularin standard për deklaratën e themelimit të konsorciumit, ndërsa dokumentet për kontratat e mëparshme nuk kishin datë lëshimi.
Probleme me përbërjen e materialeve tekstile pati edhe operatori “Sodex Group SH.P.K.”, i cili kishte ofertuar 279,534 euro për pizhamet dhe 9,336 euro për çorapët. Laboratori kishte konstatuar se mostrat nuk përputheshin me specifikimet teknike të kërkuara. Për pizhamet kërkohej kombinim pambuku dhe likre, ndërsa mostrat kishin përmbajtje poliesteri. Ndërkohë, për çorapët termikë kërkohej përzierje me polipropilen, poliamid dhe lesh, por mostrat e operatorit kishin përmbajtje të lartë pambuku.

Edhe operatori “Naim Shuki B.I.” u përball me skualifikim. Për pjesën e parë, kompania nuk kishte dëshmuar qarkullimin e kërkuar vjetor prej 500 mijë eurosh me dokumente të Administratës Tatimore të Kosovës, ndërsa për pjesën e dytë mostrat e dorëzuara nuk kishin etiketa apo dëshmi mbi përmbajtjen dhe prodhuesin.

Në listën e operatorëve të eliminuar ishte edhe grupi “WOOD CORPORATION L.L.C.” dhe “PUNTEX SH.P.K.”. Komisioni vlerësues kishte konstatuar se mostrat kishin qepje të dobët, me fije të dala dhe jo profesionale, në kundërshtim me kriteret e tenderit. Po ashtu, mostrat nuk kishin etiketa për përmbajtjen e materialit apo prodhuesin.


Dokumentacioni tregon se megjithëse në fund fituan operatorët me ofertat më të larta, Policia e Kosovës ka argumentuar se kompanitë tjera nuk i kanë plotësuar kushtet e kërkuara dhe për këtë arsye janë eliminuar nga gara./Periskopi






