Pas reagimeve të shumta që pasuan deklaratën e tij lidhur me termin “frizere”, ka reaguar Glauk Konjufca, duke sqaruar se komenti i tij nuk kishte të bënte me ish- presidenten Vjosa Osmani. Ai tha se deklarata e tij është keqinterpretuar.
Konjufca shpjegoi se gjatë një tubimi në Ferizaj ishte ndërprerë nga një gazetar që kishte përdorur termin “frizere”, ndërsa ai kishte reaguar vetëm ndaj përdorimit përçmues të atij profesioni.
Sipas tij, ai kishte theksuar se shumë gra dhe vajza mbajnë familjet e tyre përmes kësaj pune dhe se profesioni është përfshirë edhe në programin e arsimit dual.
Ai shtoi se ka respekt dhe bashkëpunim të ndërsjellë me Vjosa Osmanin, ndërsa kërkoi ndjesë ndaj kujtdo që mund të jetë lënduar nga interpretimet e krijuara pas publikimit të videos.
Postimi i plote:
Unë rrallë reagoj për lajme të rreme, sepse sot kjo të imponon të reagosh pothuajse çdo orë. Por kjo luftë speciale e sontme nuk më la indiferent. Meqë po e vërej qartë se prapa këtij shtrembërimi të qëllimshëm ekzistojnë qindra mekanizma të riprodhimit me një qëllim vërtet të keq. E qëllimi është kontaminimi i skenës politike edhe në hapësirat e fundit.
Në një tubim në Ferizaj, një pseudogazetar më ndërpreu dhe e përdori termin ‘frizere’. Pyetjen as që e dëgjova saktë për shkak të zhurmës dhe artikulimit. Ky term më pengoi dhe ia sqarova atij se shumë vajza e gra në popullin tonë e bëjnë këtë punë fisnike dhe e mbajnë familjen e tyre. Gjithashtu ia shpjegova se pikërisht për këtë shkak ky profesion është përfshirë edhe në programin e arsimit dual të inauguruar nga qeveria. Pra, diskutimi im pati vetëm një qëllim specifik: vërejtjen time që një term i tillë të mos përdoret në mënyrë përçmuese.
Asnjë diskutim imi nuk ka pasur të bëjë me Presidenten Osmani. Mediat qëllimkëqija, për kushedi çfarë kalkulimesh, e prenë vetëm termin ‘frizere’ dhe më pas ndërtuan rrëfimin e tyre të paqenë. Të gjithë ata që më njohin, e edhe vetë znj. Osmani, me të cilën kam bashkëpunim të gjatë dhe respekt të ndërsjellë, të cilin e ruaj edhe sot, e dinë qasjen time në politikë.
Për çdo rast, të gjithë atyre që ky konstrukt i inxhinieruar i luftës speciale i ka lënduar, u kërkoj ndjesë.
